Delegacioni ukrainas drejt SHBA-së për bisedime mbi paqen, Zelensky: Shpresojmë të nënshkruajmë garancitë e sigurisë
Pavarësisht raportimeve se vendet arabe kanë ushtruar presion për të ulur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë për zbutjen e situatës, duke deklaruar se vendimi ishte tërësisht i tij.
Ndërsa perspektiva e një sulmi ushtarak amerikan ndaj Iranit duket tani më e largët, informacione të ndryshme sugjerojnë se disa vende arabe kanë ndërmjetësuar mes Uashingtonit dhe Teheranit. Megjithatë, Trump i mohoi këto pretendime.
“Ishte vendimi im. Askush nuk më bindi mua, unë e binda veten time”, tha ai kur u pyet nëse arabët apo izraelitët e kishin nxitur të mos sulmonte Iranin.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu vendimin e Iranit për të anuluar, sipas tij, 800 ekzekutime.
“Unë e respektoj faktin që ata i anuluan këto ekzekutime”, deklaroi Trump, pa dhënë një shpjegim të qartë mbi deklaratën e mëparshme se ndihma për protestuesit iranianë “është në rrugë e sipër”.
Duke folur për Groenlandën, Trump tha se NATO ka bashkëpunuar me SHBA-në, kur u pyet nëse Uashingtoni do të largohej nga aleanca në rast se ajo nuk do të mbështeste një ndërhyrje amerikane për marrjen e ishullit arktik.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. Nëse nuk e fitojmë atë, do të kemi një boshllëk sigurie, veçanërisht në lidhje me aktivitetet tona dhe Kupolën e Artë”, tha ai, duke shtuar se ushtria amerikane është “më e forta në botë dhe po bëhet edhe më e fortë”.
Trump u pyet gjithashtu për çmimin Nobel që i ishte ofruar nga Maria Corina Machado, e nderuar në dhjetor.
“Pse do të donit Nobelin e dikujt tjetër?” u pyet ai, duke dhënë një përgjigje jo shumë të qartë.
“Ajo ma ofroi. Mendova se ishte shumë e sjellshme. Më tha se kam ndaluar tetë luftëra dhe se askush nuk e meriton më shumë këtë çmim. Ishte një gjest shumë i mirë”, tha Trump, duke shtuar se e konsideron Machado-n “një grua shumë të mirë”.
I pyetur pse SHBA-të do të bashkëpunonin me Delcy Rodríguez në Venezuelë dhe jo me Machado-n, e cila gëzon mbështetje të gjerë popullore, Trump iu referua përvojës së Irakut.
“Nëse e mbani mend Irakun, ku u pushuan nga puna të gjithë, policia, gjeneralët, ata përfunduan duke u bërë ISIS. Kjo ndodh kur shkatërron gjithçka”, tha ai.
Ai shtoi se ishte takuar për herë të parë me Machado-n dhe ishte “thellësisht i impresionuar”.
“Është një grua vërtet e jashtëzakonshme”, përfundoi presidenti amerikan.
Top Channel