Shpalli gjendjen ushtarake, dënohet me pesë vite burg ish-presidenti i Koresë së Jugut

16/01/2026 14:27

Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është dënuar me pesë vite burg për shpërdorim detyre, pengim të drejtësisë dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me përpjekjen e dështuar për të shpallur gjendjen ushtarake në vitin 2024.

Ky është vendimi i parë nga katër proceset gjyqësore që lidhen me dekretin e papritur për gjendjen ushtarake, i cili, edhe pse zgjati pak, shkaktoi kaos politik dhe protesta masive në të gjithë vendin.

Deputetët u detyruan të mblidheshin me urgjencë në parlament për ta rrëzuar vendimin e presidentit.

Gjykata vlerësoi se veprimet e Yoon “e futën vendin në një krizë të thellë politike”, ndërsa theksoi se ish-presidenti “nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese”.

Vendimi shihet si tregues për ecurinë e proceseve të tjera ndaj tij. Akuzat variojnë nga shpërdorimi i pushtetit deri te shkeljet e ligjit zgjedhor.

Akuza më e rëndë mbetet ajo për kryengritje, për të cilën prokuroria ka kërkuar dënim me vdekje. Vendimi për këtë çështje pritet në muajin shkurt.

Yoon u shpall fajtor për përdorimin e truprojave presidenciale për të penguar arrestimin e tij, për shpalljen e gjendjes ushtarake pa konsultuar të gjithë kabinetin, si dhe për hartimin dhe shkatërrimin e një dokumenti të falsifikuar që pretendonte miratimin e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim prej 10 vitesh burg, ndërsa të dyja palët kanë afat shtatë ditë për të apeluar vendimin.

Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se urdhri për arrestimin e tij ishte i pavlefshëm dhe se ligji nuk e detyronte të konsultonte çdo anëtar të kabinetit për përdorimin e kompetencave emergjente.

Gjatë seancës, rreth 100 mbështetës të Yoon u mblodhën jashtë gjykatës, duke ndjekur procedurat përmes një transmetimi ‘live’.

Disa mbanin pankarta me mbishkrimin “Yoon, sërish! Ta bëjmë Korenë të madhe përsëri”, ndërsa të tjerë reaguan me thirrje kundër.

Rasti ka rikthyer në vëmendje përçarjet e thella politike në Korenë e Jugut. Sipas një sondazhi të kryer në dhjetor, rreth 30% e qytetarëve nuk e konsiderojnë shpalljen e gjendjes ushtarake nga Yoon si akt kryengritjeje.

Gjashtë muaj pas përpjekjes për gjendje ushtarake, zgjedhësit zgjodhën liderin e opozitës, Lee Jae Myung, si president të ri, por proceset ndaj Yoon vazhdojnë të mbajnë të tensionuar klimën politike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB