Pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara, AAPSK nxjerr versionet e përditësuara të katalogëve

16/01/2026 09:43

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar në faqen e saj zyrtare versionet e përditësuara për vitin 2025 të Katalogut të Pasurive të Sekuestruara dhe Katalogut të Pasurive të Konfiskuara.

Këta katalogë janë publikuar fillimisht për herë të parë gjatë muajve shkurt dhe mars 2025 dhe tashmë janë përditësuar për të reflektuar të gjitha ndryshimet, zhvillimet dhe lëvizjet që kanë ndodhur gjatë vitit 2025 deri në fund të tij, në kuadër të administrimit të pasurive nga AAPSK. Përditësimi i tyre përfaqëson vijimësinë e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës inventarizimi të pasurive të vendosura nën administrimin e Agjencisë.

Publikimi dhe rifreskimi i katalogëve synon rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe garantimin e aksesit të hapur në informacion për qytetarët, institucionet dhe të gjitha palët e interesuara. Katalogët ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, statusin ligjor të tyre dhe mënyrën e administrimit nga AAPSK.

Në lidhje me këtë proces, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, u shpreh:

“Publikimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i katalogëve të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është një angazhim konkret i AAPSK për transparencë dhe administrim të përgjegjshëm. Për herë të parë, këto pasuri po dokumentohen dhe bëhen publike në mënyrë të strukturuar, duke krijuar një standard të ri në administrimin e tyre dhe duke forcuar besimin e publikut dhe institucioneve në këtë proces.”

AAPSK sqaron se vlerat e pasurive të pasqyruara në katalogë, të shoqëruara me pasaportat përkatëse, nuk përfaqësojnë vlerën e tyre të tregut. Këto vlera janë referuese dhe janë marrë në bazë të dokumentacionit zyrtar dhe dosjeve hetimore përkatëse. Publikimi i pasurive realizohet për qëllime transparence dhe informimi, dhe nuk ka si objektiv shitjen apo tjetërsimin e tyre.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara mbetet e angazhuar në zbatimin e parimeve të ligjshmërisë, eficiencës, transparencës dhe interesit publik, duke garantuar një administrim sa më të rregullt dhe profesional të pasurive që i janë besuar.

Katalogët e përditësuar për vitin 2025 janë tashmë të disponueshëm për konsultim në faqen zyrtare të AAPSK.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB