Partnerja e tij tërhoqi 200,000 euro nga llogaria bankare, grindja mes Valentino Rossit dhe babait të tij përfundon në gjykatë

16/01/2026 11:15

Një histori familjare e ndërlikuar dhe e dhimbshme ka përfshirë kampionin legjendar të MotoGP, Valentino Rossi, 46 vjeç, dhe babain e tij, ish-garuesin Graziano Rossi, 71 vjeç.

Në qendër të konfliktit janë dyshime për përfitime financiare me vlera që arrijnë në qindra mijëra euro.

Sipas një rindërtimi të publikuar nga Quotidiano Nazionale, Valentino Rossi pretendon se partnerja aktuale e babait të tij ka përfituar nga dobësia e Graziano Rossit, duke i marrë shuma të mëdha parash gjatë viteve të bashkëjetesës së tyre. Ngjarjet nisën në vitin 2024, kur Valentino Rossi kërkoi dhe mori emërimin e administratorit ligjor për të atin, pas një raporti të një eksperti të pavarur që e vlerësonte Graziano-n si të dobësuar dhe në vështirësi. Pikërisht në këtë fazë, sipas Valentinos, u zbulua se partnerja e babait kishte tërhequr rreth 176 mijë euro nga llogaritë bankare të tij, përfshirë 100 mijë euro të justifikuara si “kredi”, si dhe rreth 34 mijë euro të tjera në para të gatshme gjatë 12 viteve lidhje.

Megjithatë, një vit më vonë, Graziano Rossi i kërkoi të birit të hiqej administrimi ligjor. Pas refuzimit, ai ngriti një padi civile dhe më 4 mars 2025, Gjykata e Pesaros vendosi në favor të tij, duke konstatuar se ishte plotësisht i aftë për të marrë vendime. Gjykata theksoi se Graziano nuk kishte ndërprerë asnjëherë aktivitetet e përditshme, përfshirë drejtimin e makinës dhe pjesëmarrjen në gara rally. Valentino Rossi nuk ka apeluar këtë vendim, por ka zhvendosur fokusin te partnerja e babait të tij, një grua 54-vjeçare, duke e denoncuar atë për mashtrim ndaj një personi të supozuar të paaftë.

Çështja ka sjellë një seri ekspertizash dhe kundër-ekspertizash, të paktën pesë, sipas mediave italiane, në Pesaro dhe Bolonjë. Raporti i fundit, i porositur nga gjyqtari hetues i Pesaros dhe hartuar nga profesori Luca Cimino i Bolonjës, konfirmon se Graziano Rossi nuk ka nevojë për administrator mbështetës.

Ndërkohë, Guardia di Finanza po heton të gjitha tërheqjet bankare nga llogaritë e Graziano Rossi-t. Vendimi për hapat e mëtejshëm ndaj partneres së tij i takon tashmë prokurores së Pesaros, Irene Lilliu. Nga kjo përplasje e fortë familjare kanë mbetur jashtë si nëna e Valentinos, Stefania Palma, ish-partnere e Grazianos, ashtu edhe vajza që ai ka me partneren aktuale, Clara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB