Mbahej i burgosur në Venezuelë, Ministria e Jashtme: Jozef Ndoci ndodhet i lirë dhe i sigurt
Zbardhet dosja e SPAK për Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismailin, ky i fundit ish kreu i Burgjeve, të cilët akuzohen se kanë hakeruar kompjuterët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ish-drejtori i burgut të Vlorës, Zambak Gjoni, tregon se si i mori informacionet nga Arnold Rrokaj dhe i shpërndau te njerëz të tjerë.
Zambak Gjoni deklaroi përpara prokurorëve se: “Aktualisht jam i papunë. Më herët kam punuar si jurist në sistemin e burgjeve, dhe konkretisht pozicionin e fundit e kam patur pranë IKMT, si drejtor juridik, gjatë vitit 2023. Lidhur me shoqërimin tim në polici ditën e sotme, me qëllim pyetjen time, kam për të thënë se përpara disa vitesh, rreth vitit 2019, jam njohur me shtetasin Arnold Rrokaj, i cili punonte pranë IMT-së së Bashkisë Vlorë, si specialist ose inspektor. Në atë periudhë kam qenë dhe unë i punësuar pranë Burgut të Vlorës, si drejtor i komanduar dhe në këto rrethana, nëpërmjet rrethit shoqëror dhe miqësive të përbashkëta, kam krijuar njohje dhe marrëdhënie shoqërore me këtë shtetas. Me këtë shtetas, kam komunikuar në mënyrë të vazhdueshme, pasi i kisha ruajtur raportet shoqërore me të. Më duhet gjithashtu të sqaroj faktin se ky shtetas ka qenë gjithmonë i dhënë pas teknologjisë dhe mesa kisha kuptuar, i vinte ndorësh të merrej me aplikacione të ndryshme si dhe me teknologjinë në përgjithësi”.
Më tej ai vijon: “Përpara tre javësh, ndoshta 4 javë, nuk e mbaj mend mirë, Arnoldi më ka dërguar me SMS, në aplikacionin Whatssap, disa të dhëna, të cilat ishin materiale hetimore, në format Word, që në pamje të parë dukeshin si materiale hetimore të përpiluara nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Në vijim më ka dërguar dhe disa materiale të tjera hetimore, por në formatin Word, si urdhra ndalimi për një shtetas të cilit nuk ja mbaj mend emrin, material hetimor për shtetasin Damian Gjiknuri, që mbaj mend ishte relacion, që i përkiste vitit 2024, një material hetimor tjetër në format Word për shtetasin Klodian Allajbeu, për të cilin më duhet të sqaroj se ishte pa stemë ose shenjë të strukturës suaj, por nga përmbajtja dukej si informacion i lidhur me hetimin”.
Më janë dërguar gjithashtu një procesverbal për këqyrjen e një aparati celular të një shtetaseje me emrin Oneida, mbiemrin e të cilës nuk e kujtoj. Ka qenë dhe një material hetimor, si procesverbal kontrolli banese, për disa shtetas me mbiemrin Copja, më duket se për shtetasin Franc Copja. Ka qenë dhe një material tjetër që ishin 2 ose 3 letërporosi drejtuar shtetasit Austriak ose dhe të shteteve të tjera, nuk e mbaj mend mirë. Gjithashtu, më duhet të shtoj faktin se para 10 ditësh ose 2 javësh, nuk mbaj mend mirë, shtetasi Arnold Rrokaj, më ka dërguar një link dhe një fjalëkalim, për të cilin më tha se mund të aksesoheshin disa përgjime të komunikimeve të platformës Sky. Unë provova ta aksesoj por nuk munda të hyj në këtë link dhe madje i kam shkruajtur dhe shtetasit Arnold Rrokaj ose e kam marrë në telefon dhe i kam thënë që nuk mund ta aksesoj linkun, dhe e kam lënë kështu dhe nuk e kam tentuar më.
Lidhur me këtë link ai më tha vetëm që aty mund të aksesoheshin komunikime të dekriptuara të aplikacionit të komunikimit Sky, dhe nuk më dha më tepër informacion si e kishte akseskuar ai këtë informacion apo nga çfarë burimi e kishte gjetur linkun… Unë këto informacione ja kam dërguar disa miqve të mi, me të cilët diskutojmë për aktualitetet e ditës ose ngjarje të ndryshme që ndodhin në Shqipëri. Dua të shtoj faktin se këtyre shtetasve nuk ju kam dërguar të gjithë materialin që më ka dërguar shtetasi Arnold Rrokaj, por vetëm një pjesë të vogël të materialit, pra në total një ose dy nga këto informacione.”
Top Channel