Video/ “Dëgjuam një shpërthim të fortë”, zjarr masiv në një qytet të Holandës, raportohet për të lënduar

15/01/2026 17:33

Një shpërthim i fortë ka tronditur pasditen e sotme qendrën e qytetit të Utrechtit në Holandë, duke shkaktuar një zjarr të madh në një rrugë historike të ngushtë të mbushur me shtëpi të vjetra familjare.

Ngjarja ndodhi pak para orës 15:30, ndërsa dhjetëra ekipe të ndihmës së shpejtë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes.

Sipas një zëdhënësi të shërbimeve të urgjencës, të paktën një person ka mbetur i lënduar, ndërsa numri i saktë i të plagosurve ende nuk është konfirmuar.

“Një zjarr shpërtheu në një banesë në rrugën Visschersteeg,” bëri të ditur zyra rajonale e emergjencave, duke shtuar se telefonata të shumta nga banorët e zonës raportuan për një shpërthim të fortë.

Sipas raportimeve, xhama të thyer dhe mbeturina u shpërndanë në rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën evakuimin e banesave dhe bizneseve në zonat përreth, përfshirë Mariaplaats dhe Springweg. Të paktën gjashtë ambulanca u dërguan në vendngjarje, ndërsa një ekip mjekësor traume mbërriti me helikopter.

Policia rrethoi zonën për arsye sigurie, ndërsa zjarrfikësit u përpoqën të vinin flakët nën kontroll. Pak më vonë, autoritetet njoftuan se zjarri kishte marrë përmasa shumë të mëdha dhe aktivizuan protokollin e emergjencës rajonale GRIP 2, i cili parashikon koordinimin e të gjitha shërbimeve nga një komandë e vetme dhe ngritjen e një qendre të posaçme jashtë vendngjarjes për menaxhimin e situatës.

Një numër qytetarësh u mblodhën për të parë nga afër zhvillimet, por shërbimet e emergjencës bënë thirrje për distancim.

“Janë thirrur njësi të shumta për ndihmë. I kërkojmë të gjithëve t’u lënë hapësirë ekipeve të emergjencës dhe të mos i afrohen zonës së incidentit,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi nga autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB