“Trump ëndërron për arin e zi nga Venezuela”, analiza nga DW: A do të jetë e lehtë për Presidentin amerikan?

14/01/2026 08:51

SHBA do të sigurojë qasje afatgjatë tek nafta venezueliane. Trump u ka kërkuar krerëve të gjigantëve të naftës të investojnë. Por a do të kryejnë ata investime të mëdha?

Nuk kaloi shumë kohë pas kapjes së Maduros, kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump priti përfaqësues të disa kompanive të naftës dhe i nxiti që të vepronin shpejt dhe në shkallë të gjerë në Venezuelë. Por nuk ka eufori ari tek industria e naftës e SHBA. Shkak janë arsye reale ekonomike, për të cilat Donald Trump nuk duket se është në dijeni. Qeveria amerikane premton të kontrollojë sektorin e naftës në Venezuelë edhe në të ardhmen, por nëse vetëm kjo i bën investimet e mëdha atje fitimprurëse për gjigantët amerikanë të naftës është një pyetje krejtësisht tjetër.

Kompanitë të kujdesshme

Eksperti i industrisë Bob McNally i tha CNN se “kjo sigurisht i josh kompanitë e naftës. Ato janë mësuar me vende të rrezikshme. Bëhet fjalë për rezervat më të mëdha në botë. Por ato do të jenë shumë, shumë të kujdesshme.” Thuhet se Venezuela ka mbi 300 miliardë fuçi naftë bruto, por kjo nuk është provuar kurrë. Disa vlerësojnë se rezervat janë më pak se një e treta e kësaj shume. Skepticizmi aktualisht nxitet edhe nga fakti se Venezuela zotëron “naftë të rëndë bruto”. Rafineritë duhet të jenë të pajisura posaçërisht për ta përpunuar atë.

“Numri i rafinerive në SHBA dhe gjetkë që duan këtë naftë po zvogëlohet”, shpjegoi për Bloomberg TV Mukesh Shadev i firmës konsulente XAnalysts. “Ky nuk është lloji i naftës bruto që bota ka nevojë në të ardhmen, sepse ne do të vazhdojmë të lëvizim drejt më pak benzine dhe nafte.”

Ia vlen investimi i kompanive amerikane?

Aktualisht, prodhohen rreth 105 milionë fuçi naftë çdo ditë në të gjithë botën, rreth dy milionë fuçi më shumë se sa nevojitet. Pra, tregu nuk ka mungesa. Tjetra: Nafta bruto është e lirë, i tha eksperti Peter Boockvar televizionit amerikan, CNBC. “Sot një fuçi kushton 60 dollarë, pak më pak. Njëzet vjet më parë kushtonte gjithashtu 60 dollarë nominalisht. Të përshtatur me inflacionin, ato 60 dollarë të asaj kohe vlejnë 100 dollarë sot. Por sot nxjerrja e naftës nga toka është shumë më e shtrenjtë.”

Nëse ia vlen të rritet prodhimi në Venezuelë me një çmim kaq të ulët është e pasigurtë. Pajisjet teknologjike atje janë të vjetra dhe të rrënuara. Firma konsulente Rystad Energy vlerëson se nëse Venezuela dëshiron ta kthejë prodhimin e saj të përditshëm në nivelin që arriti në vitet 1990 – rreth tre milionë fuçi në ditë, tre herë pra sa prodhimi i sotëm – atëherë do të kërkoheshin investime prej afërsisht 180 miliardë dollarësh deri në vitin 2040.

Investime kaq masive për një pjesë shumë të vogël të prodhimit të përgjithshëm vjetor në botë – ndoshta nuk do ta tregonin efektin tek pikat e mbushjes me benzinë. Eksperti i naftës Bob McNally vlerëson, se “kompanitë e vogla mund të hyjnë në Venezuelë mjaft shpejt dhe të bëjnë disa riparime për të rinisur prodhimin vitet e ardhshme. Por korporatat e mëdha, që kanë njohuritë e duhura për të rritur vërtet prodhimin, do të jenë më të rezervuara para se të angazhohen për shpenzime të tilla.”

Subvencione nga paratë e taksapaguesve?

Po i bën llogaritë gabim Trump? Ai ende ëndërron për arin e zi që do të rrjedhë lumë nga Venezuela e do t’i sillte gjithashtu shumë para SHBA-së. Nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë – dhe nëse po, kur – nuk dihe saktë. Ndoshta Trump i parandjeu vështirësitë, kur aludoi ditët e fundit nëse taksapaguesit amerikanë mund të subvencionojnë kompanitë e naftës për të rritur interesin e tyre për nxjerrjen e naftës bruto në Venezuelë. /dw

Top Channel

DIGITALB DIGITALB