Claudette Colvin, simbol i luftës kundër ndarjes racore në SHBA, ndërron jetë në moshën 86-vjeçare

14/01/2026 11:29

Claudette Colvin, një nga figurat e para që sfidoi ndarjen racore në Shtetet e Bashkuara, kur refuzoi të ngrihej nga vendi i saj në një autobus në Montgomery, Alabama, në vitin 1955, ka vdekur në moshën 86 vjeç, njoftoi të martën fondacioni që mban emrin e saj.

“Për ne, ajo ishte shumë më tepër sesa një figurë historike. Ajo ishte zemra e familjes sonë, e mençur, e qëndrueshme dhe e bazuar në besim”, tha Fondacioni Claudette Colvin në nekrologjinë e saj.

Akti që i parapriu Rosa Parks

Claudette Colvin ishte vetëm 15 vjeçe kur u arrestua për shkak se refuzoi t’ia lëshonte vendin e saj një pasagjeri të bardhë në një autobus në Alabama, në një kohë kur ndarja racore ishte ende e ligjshme. Incidenti ndodhi në mars të vitit 1955, nëntë muaj para aktit përkatës dhe historikisht më të famshëm të aktivistes amerikane Rosa Parks, e cila më 1 dhjetor 1955, në Montgomery, Alabama, refuzoi t’ia lëshonte vendin e saj në autobus një burri të bardhë, duke i rezistuar politikës së atëhershme amerikane të ndarjes racore që kërkonte që qytetarët me ngjyrë të uleshin në pjesën e pasme të autobusit dhe t’ua lëshonin vendet e tyre të bardhëve.

Edhe pse Colvin ishte personi i parë që u arrestua për shkelje të rregulloreve të Montgomery-t për autobusët e ndarë, historia e saj u harrua kryesisht për dekada, pasi rasti Rosa Parks çoi në një bojkot masiv të autobusëve dhe e katapultoi lëvizjen për të drejtat civile në një rëndësi kombëtare.

Një vit pas arrestimit të saj, Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi që autobusët e ndarë ishin jokushtetues. Vendimi u bazua në dëshminë e katër paditësve, përfshirë Claudette Colvin, duke e bërë kontributin e saj thelbësor në zhvillimin e çështjes.

“E dija që isha ulur në vendin e duhur”

Në një intervistë të vitit 2018 me BBC-në, Colvin tha se në kohën e arrestimit të saj, “nuk isha e frikësuar, por ndihesha e frustruar dhe e zemëruar”, pasi e dinte se “isha ulur në vendin e duhur”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se ishte frymëzuar nga figura ikonike në luftën kundër skllavërisë, si Harriet Tubman dhe Sojourner Truth, duke thënë: “Ndjeva sikur duart e Harriet Tubman më mbanin në njërën shpatull dhe ato të Sojourner Truth në tjetrën”. Në vitet pasuese të jetës së saj, ajo punoi si infermiere në New York, ndërsa, sipas fondacionit të saj, vdiq në Teksas, duke lënë pas një trashëgimi historike që është njohur plotësisht vetëm në dekadat e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB