Arrihet marrëveshja për anëtarët e Komitetit të Paqes në Gaza, emrat do bëhen me dije nga Trump në ditët në vijim

14/01/2026 19:04

Qeveria egjiptiane njoftoi sot se është arritur një marrëveshje mbi emrat e anëtarëve të komitetit teknokratik palestinez prej 15 anëtarësh që do të marrë përsipër administrimin e Rripit të Gazës, bazuar në planin e paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

“Shpresojmë që pas kësaj marrëveshjeje, së shpejti do të shpallet formimi i komitetit dhe më pas ai do të vendoset në Rripin e Gazës për të menaxhuar jetën e përditshme dhe shërbimet bazë”, shtoi Ministri i Jashtëm Badr Abdelati, pas bisedimeve në Kajro për këtë çështje.

Një delegacion i Hamasit dhe ndërmjetësues egjiptianë u takuan në Kajro të hënën për të diskutuar formimin e komitetit dhe për të shqyrtuar mekanizmat e tij operativë, thanë më parë zyrtarët palestinezë, duke folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këtë çështje. Njëri prej tyre tha se bisedimet do të zhvilloheshin edhe me udhëheqësit e lëvizjeve të tjera palestineze.

Përveç përbërjes së komitetit dhe emrit të kryetarit të tij të ardhshëm, bisedimet kanë të bëjnë kryesisht me “marrëveshjen e armëpushimit në dritën e shkeljeve izraelite” në Gaza, shtoi ai.

Një zyrtar tjetër i Hamasit tha se pasi marrëveshja të finalizohet, Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas do të lëshojë një dekret për të themeluar zyrtarisht komitetin.

Dy emra po propozohen për kryesinë e komitetit: Ali Saath, një ish-zëvendësministër i planifikimit në Autoritetin Palestinez, dhe Majed Abu Ramadan, ministri aktual i shëndetësisë dhe ish-kryetar bashkie i Gazës. Zyrtari i Hamasit tha se Fatah, lëvizja e Abbasit dhe Hamasi duhet të bien dakord për kryetarin “për të siguruar që ata do të mbështesin punën e komitetit së bashku”.

Hamasi ka thënë vazhdimisht se nuk kërkon një rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës.

Bisedimet në Kajro përqendrohen gjithashtu në tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, rihapjen e pikës kufitare të Rafah në skajin jugor të enklavës dhe hyrjen e ndihmës humanitare të ruajtur në Egjipt.

Këshilli i Paqes do të mbikëqyret në terren nga diplomati bullgar Nickolay Mladenov, një ish-i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për procesin e paqes në Lindjen e Mesme (2000-2015). Trump do të shpallë emrat e anëtarëve të Këshillit të Paqes në ditët në vijim, dhe mediat po spekulojnë se ai do të përfshijë 15 figura kryesore me reputacion ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB