Macron paralajmëron: Shkelja e sovranitetit të Grenlandës do të çojë në ‘efekte të papara’
Lindja e Mesme duket se është përsëri në gatishmëri të lartë pas kërcënimeve të Trump ndaj Iranit dhe përgjigjes së Teheranit.
Në këtë kontekst, disa prej personelit në bazën ushtarake amerikane Al Udeid në Katar u urdhëruan të largoheshin deri të mërkurën në mbrëmje, sipas tre burimeve diplomatike që folën me Reuters. Ambasada amerikane në Doha nuk komentoi menjëherë mbi këtë informacion, ndërsa numri i saktë i personelit që iu kërkua të lëvizte nuk u specifikua.
Baza Al Udeid konsiderohet si instalimi më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme dhe strehon rreth 10,000 ushtarë. Është një qendër kryesore operative për forcat amerikane në rajon.
Kujtojmë se, para sulmeve ajrore të SHBA-së kundër Iranit në qershor, personeli ishte zhvendosur nga bazat amerikane në Lindjen e Mesme, si pjesë e masave parandaluese të sigurisë mes tensioneve të rritura.
Më parë, Irani i paralajmëroi vendet e rajonit se do të sulmonte bazat ushtarake amerikane në to në rast të një sulmi amerikan, tha një zyrtar i lartë i Teheranit për Reuters, pas kërcënimeve të Donald Trump për të ndërhyrë mes protestave antiqeveritare në të gjithë vendin.
“Teherani ka informuar vendet e rajonit, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri në Turqi, se bazat amerikane në këto vende do të sulmohen nëse SHBA-të synojnë Iranin, duke u kërkuar këtyre vendeve të parandalojnë Uashingtonin nga sulmi ndaj Iranit “, tha zyrtari. Ditë më parë, iranianët e kishin paralajmëruar gjithashtu Izraelin me sulme.
Top Channel