Alarm i ri në Lindjen e Mesme: Kërkohet evakuim i pjesshëm në bazën ushtarake amerikane në Katar
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka deklaruar se Donald Trump është i vetmi udhëheqës botëror i aftë të ndalojë Vladimir Putinin dhe kërcënimin rus ndaj Europës.
Në një intervistë për programin Today të Radio 4, Nawrocki u shpreh se udhëheqësit rus nuk duhet t’i besohet, por se Europa duhet të bëjë gjithçka për të mbështetur përpjekjet e presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas tij, me Rusinë që kërcënon Poloninë, si dhe Europën Qendrore dhe Lindore, Trump është “i vetmi person” që mund ta zgjidhë këtë problem dhe të ndalë agresionin rus.
Nawrocki rikujtoi inkursionin masiv të dronëve rusë në shtatorin e kaluar, kur mbi 20 mjete ajrore pa pilot hynë në hapësirën ajrore polake nga Bjellorusia dhe Ukraina. Ai e cilësoi ngjarjen si “të jashtëzakonshme”, duke theksuar se Rusia po teston mbrojtjen e Polonisë dhe solidaritetin e NATO-s.
Presidenti polak falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për dërgimin e avionëve luftarakë RAF Typhoon në mbrojtje të kufijve të Polonisë, duke shtuar se vendi i tij ndodhet në një “luftë hibride” me Rusinë që prej vitit 2021, për shkak të dronëve dhe fushatave të dezinformimit.
I pyetur për marrëdhëniet e tij me Donald Trump, në kontekstin e deklaratave të presidentit amerikan për Groenlandën, Nawrocki këmbënguli se SHBA-të mbeten garantuese të sigurisë europiane. Ai paralajmëroi se një shkëputje e Europës nga SHBA-të do të ishte e dëmshme si për sigurinë ekonomike, ashtu edhe për atë ushtarake të BE-së.
Sa i përket Groenlandës, presidenti polak u shpreh se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut mes SHBA-së dhe Danimarkës, brenda kuadrit të NATO-s.
Nawrocki kritikoi gjithashtu liderët europianë për fokusimin, sipas tij, në çështje ideologjike si politika e klimës dhe migracioni, në vend që të forcojnë sigurinë. Ai theksoi se Polonia shpenzon gati 5% të PBB-së për mbrojtjen.
Në fund, presidenti polak vlerësoi marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar, duke i cilësuar ato “jashtëzakonisht të rëndësishme”, dhe falënderoi ushtarët britanikë të stacionuar në Poloni për rolin e tyre në mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Top Channel