Banorët e lagjes “Demokracia” në Mamurras prej më shumë se 10 ditësh po përballen me mungesë të energjisë elektrike, pikërisht në prag dhe gjatë festave të fundvitit.

Ata shprehen se furnizimi me energji ka qenë i ndërprerë vazhdimisht, me raste kur dritat janë fikur deri në 48 orë rresht.

Sipas banorëve, përpjekjet për të kontaktuar përgjegjësin e OSHEE-së për zonën kanë qenë të pasuksesshme, pasi ai nuk u është përgjigjur telefonatave. Vetëm pas ndërhyrjes së medias, përfaqësuesi i OSHEE-së Xhevdet Xheçuka ka deklaruar se do të paraqitej në zonë për të verifikuar situatën.

Një banor tregon se prej 10 ditësh është kthyer në Shqipëri për festat, por ka gjetur shtëpinë pa drita. “Energjia vjen dhe ikën shumë shpejt, askush nuk e zgjidh problemin,” shprehet ai. Një tjetër banore thotë se u detyrua të largohej nga banesa dhe të shkonte te fëmijët, pasi ishte e pamundur të qëndronte në errësirë gjatë festave.

Një i moshuar shprehet i dëshpëruar: “Nuk di ku të ankohem dhe çfarë të bëj. Jam i vetëm në shtëpi dhe rri në errësirë.” Banorët ankohen gjithashtu se, pavarësisht problemeve të vazhdueshme, vazhdojnë të paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike.

Përgjegjësi i OSHEE-së për zonën, i pranishëm në terren, Xhevdet Xheçuka pranoi se linja e furnizimit është e amortizuar dhe sjell probleme të shpeshta. Sipas tij, ndërprerje ka pasur herë pas here, por jo mungesë totale të energjisë për 10 ditë rresht. Ai sqaroi se e njëjta linjë furnizon edhe zonën e Fushë-Mamurrasit, gjë që e rëndon më tej situatën.

Përfaqësuesi i OSHEE-së theksoi se rrjeti aktual është i vjetër dhe nuk përballon ngarkesën, sidomos gjatë periudhave festive, kur konsumi rritet ndjeshëm. Ai pranoi gjithashtu se mungesa e stafit e vështirëson ndërhyrjen e shpejtë, pasi defektet shtrihen në një zonë me rreth 5 mijë banorë. Drejtori I OSHEE Laç, Erjon Markaj tha se është në plan rregullimi i kabinës dhe ndërtimi i një rrjeti të ri furnizimi, për të shmangur problemet e përsëritura në të ardhmen. Ai premtoi se investimi do nisë shumë shpejt për këtë zonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB