Dokumentari me fjalimin e manipuluar të Presidentit, BBC kërkon rrëzimin e padisë prej 5 miliardë dollarësh të Trump për shpifje

13/01/2026 10:44

BBC ka paraqitur në gjykatë kërkesën për rrëzimin e padisë prej 5 miliardë dollarësh të ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump, lidhur me mënyrën se si u editua fjalimi i tij i 6 janarit 2021 në një dokumentar të emisionit Panorama.

Trump e depozitoi padinë muajin e kaluar në një gjykatë në Florida, duke akuzuar transmetuesin publik britanik për shpifje dhe shkelje të ligjit mbi praktikat tregtare. Sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara të hënën, BBC argumenton se gjykata e Floridës nuk ka juridiksion mbi korporatën, se vendndodhja e procesit është e papërshtatshme dhe se Trump ka dështuar të paraqesë një pretendim të vlefshëm ligjor.

BBC thekson se dokumentari Panorama nuk është transmetuar në Shtetet e Bashkuara dhe se nuk ka dëmtuar reputacionin e presidentit amerikan. Transmetuesi shton se Trump nuk ka provuar asnjë dëm real, duke vënë në dukje se ai u rizgjodh president pas transmetimit të programit dhe fitoi Floridën me shumicë të thellë.

Trump pretendon se dokumentari është transmetuar në platformën BritBox, gjë që BBC e ka mohuar. Po ashtu, transmetuesi britanik argumenton se nuk ekziston “keqdashje reale” në publikimin e materialit, një kriter kyç në rastet e shpifjes ndaj figurave publike.

Çështja lidhet me një montazh të fjalimit të Trump më 6 janar 2021, ku dy pjesë të ndara të fjalës së tij u bashkuan në mënyrë që, sipas BBC-së, krijuan gabimisht përshtypjen e një thirrjeje të drejtpërdrejtë për dhunë. BBC ka pranuar se montazhi ishte i gabuar dhe ka kërkuar ndjesë, por ka refuzuar kërkesat për dëmshpërblim.

Një dokument i brendshëm i BBC-së, e rrjedhur në nëntor, kritikoi mënyrën e editimit dhe çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtores së lajmeve Deborah Turness.

BBC ka kërkuar gjithashtu pezullimin e procesit të shkëmbimit të provave deri në një vendim mbi kërkesën për rrëzim të padisë. Nëse çështja vijon, një datë e mundshme gjyqi është parashikuar për vitin 2027.

Një zëdhënës i BBC-së deklaroi se transmetuesi do ta mbrojë çështjen në gjykatë dhe nuk do të komentojë më tej procedurat ligjore në vazhdim.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB