Sulm me armë zjarri në një lokal në Deçan/ Plagosen tre persona, vihet në pranga autori
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot po mbahet seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Gjyqtari i rastit, Avni Syla, vendosi që seanca të jetë e mbyllur për publikun për shkak të ruajtjes së informacioneve të klasifikuara, raporton koha.net.
Të pyetur se a duan që rasti të vazhdojë me seanca të hapura apo të mbyllura avokatët e të akuzuarve kërkuan që të mos vazhdohet seanca pasi që thanë se në dosjen e Prokurorisë ka dokumente të klasifikuara.
Avokatët kërkuan që, para se të vazhdojë seanca, të nisë procesi i deklasifikimit të dokumenteve. Përndryshe, ata thanë se do të vihen para përgjegjësisë penale pasi që nuk kanë një certifikatë të sigurisë, që duhet për të pasur qasje në dokumente të klasifikuara.
Aktakuza ndaj Hajdarit ishte ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Sipas aktakuzës, Hajdari dhe dy zyrtarë të MINT-it i kishin shkaktuar dëm prej rreth 3 milionë eurove buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022, kur dyshohet se kishin blerë një sasi vaji dhe gruri jashtë vendit, por që s’kishin mbërritur kurrë në Kosovë.
Dështimi i mëparshëm i seancës fillestare
Seancë fillestare ishte caktuar edhe më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por kishte dështuar për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, kishte thënë se Hajdarit i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por nuk kishte marrë përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
Më pas, Hajdari kishte shkruar në Facebook se “nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës”.
“Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, shtoi ajo. Aktakuza për rezervat shtetërore
Hajdari, sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar, akuzohet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, sipas Prokurorisë, dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë. Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen po ashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.
Rezervat shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”./REL
Top Channel