Këshilli i Mandateve për Ballukun mblidhet me 28 janar, reagon Bardhi: Bllokim i paprecedentë, iu dha mundësi të pandehurës të shkatërrojë provat

12/01/2026 17:11

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pasi Kuvendi lajmëroi datën e mbledhjes së Këshillit të Mandateve.

Në postimin e tij në Facebook Bardhi shprehu se bllokimi 6-javor nga mazhoranca socialiste është i paprecedentë dhe një akt papërgjegjshmërie.

Sipas tij kjo vonesë i ka dhënë mundësi të pandehurës që të tentojë prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB