Protestat antiqeveritare në Iran, Trump po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake: SHBA gati për ndihmë

11/01/2026 16:54

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton një sërë opsionesh të mundshme ushtarake ndaj Iranit, pas protestave antiqeveritare që kanë shkaktuar dhjetëra viktima.

Sipas burimeve, Trump është informuar ditët e fundit mbi plane të ndryshme ndërhyrjeje, përfshirë edhe opsione që nuk përfshijnë përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës ushtarake amerikane. Disa nga skenarët e diskutuar fokusohen në shënjestrimin e shërbimeve të sigurisë iraniane që po përdoren për shtypjen e protestave.

Megjithatë, brenda administratës amerikane ka shqetësime se një ndërhyrje ushtarake mund të ketë efekt të kundërt, duke bashkuar popullin iranian rreth regjimit ose duke nxitur hakmarrje ushtarake nga Teherani. Zyrtarët amerikanë theksojnë se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe se opsionet në shqyrtim nuk përfshijnë dërgimin e trupave tokësore në Iran.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, të paktën 116 persona janë vrarë që nga shpërthimi i protestave në të 31 provincat e Iranit dy javë më parë. Shifrat mund të jenë më të larta, për shkak të ndërprerjes së internetit dhe komunikimeve telefonike nga autoritetet iraniane.

Irani po e sheh lirinë, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë gati të ndihmojnë”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse regjimi përdor dhunë vdekjeprurëse ndaj protestuesve.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë diskutuar situatën në Iran, Siri dhe Gaza. Forcat Mbrojtëse të Izraelit deklaruan se po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa Netanyahu pritet të thërrasë një takim të posaçëm për sigurinë me fokus Iranin dhe Libanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB