Përmbytjet në vend, Ministria e Mbrojtjes raporton situatën: Ja zonat që rrezikojnë
Zv. Kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka mbledhur këtë pasdite Shtabin e Emergjencave për qarkun Gjirokastër, i cili është prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut.
Balluku theksoi pas mbledhjes se lajmi i mirë është se në gjithë zonat nga ku kalon lumi i Vjosës, krahasuar me nivelin e sotëm në pikën e matjes në Memaliaj që ka qenë 8 metra, tani ka rënë në 6.5.
Vetëm në zonën e Memaliaj Fshat ka disa banesa të cilat do të inspektohen në këtë moment nga forcat e Emergjencave Civile dhe nga Forcat e Armatosura, ndërkohë që nga ana tjetër e gjithë situata është nën kontroll, tha ministrja.
Nga ana tjetër tha se të gjitha njësitë, si ato vendore, si ato të pushtetit qendror janë në koordinim të plotë, përsa i përket edhe pjesës së rrjetit të akseve rrugore kombëtare, edhe për to janë marrë masa.
“Kemi diskutuar gjithë problematikën e cila ndodh në këto momente në terren. Një lajm mirë që desha të ndaja, që nuk ka të bëjë vetëm me qarkun e Gjirokastrës, po me të gjithë jugun dhe gjithë zonat nga ku kalon lumi i Vjosës është që krahasuar me nivelin që kemi pasur sot në pikën e matjes, që është ajo në Memaliaj që ka qenë 8 metra tani ka rënë në 6.5, pra kemi një ulje me 1.5 metra, e cila do të reflektohet gjithashtu edhe në zonën e Novoselës në grykëderdhje pra, zonë që e kemi inspektuar sot gjatë ditës, ka qenë ministri i Mbrojtjes atje, ministri i Bujqësisë, kemi komunikuar me të gjithë popullatën e zonës edhe për evakuimin, por duke qenë se kemi këtë rënie me 1.5 metra të pikës së matjes në Memaliaj me të vërtetë ky është një lajm i mirë që tregon përmirësimin e situatës.
Këtu në Gjirokastër temperaturat janë ulur, ka filluar edhe një reshje dëbore e lehtë. Megjithatë, rrugët janë kryesisht të hapura. Ka disa rrugë fshatrash të cilat komunikojnë me njëra-tjetrën që janë për momentin të bllokuara.
Batalioni i dislokuar këtu, që është një batalion i ri, ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë periudhës së zjarreve në verën e kaluar, por është duke bërë të njëjtën punë edhe gjatë kësaj situate me reshjet e shtuara në të gjithë Shqipërinë, por sidomos edhe këtu në qarkun e Gjirokastrës.
Vetëm në zonën e Memaliaj Fshat ka disa banesa të cilat do të inspektohen në këtë moment nga forcat e Emergjencave Civile dhe nga Forcat e Armatosura, ndërkohë që nga ana tjetër e gjithë situata është nën kontroll.
Kemi diskutuar me kryetarët e bashkisë që janë prezentë, me drejtuesen e qarkut, me prefekten dhe gjithë të tjerët që kanë qenë gjatë kësaj mbledhje për disa pika kryesore që duhet të vihen tani në zbatim përsa i përket një plani evakuimi, pak rëndësi nëse do të ketë përkeqësim të motit apo jo, plani i evakuimit duhet të jetë për të gjitha bashkitë prezent. Ato bashki të cilat kanë njësi hotelerie apo konvikte e kanë shumë më lehtë zbatueshëm. Të gjitha bashkitë e tjera do të marrin masat, bashkë me Emergjencat Civile për të pasur palestra apo njësi të tjera, të cilat mund të akomodojnë në rastin e kërkesës së evakuimit.
Megjithatë, ashtu siç thashë situata e motit është duke u përmirësuar. Sigurisht, të shtunën ne do të kemi një përkeqësim tjetër të motit, i cili do sjellë reshje të reja, megjithatë do të kemi 48 orë për ta menaxhuar situatën. Temperaturat po ulen. Në ndërkohë kemi diskutuar edhe për situatën energjetike në këtë qark, duke qenë se këtu e kemi pasur sfidën më të madhe. Është menaxhuar shumë mirë pjesa tjetër e Shqipërisë, ndërkohë që në Gjirokastër kemi pasur ndërprerje në disa fshatra apo kemi pasur dhe ndërprerje të një linje transmetimi që është ajo e Lunxhërisë, që në një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, Forcat e Armatosura, elektricistët dhe inxhinierët e OSHEE-së edhe forcat e Emergjencave Civile kanë rikthyer energjinë në zonën e Lunxhërisë, duke kryer këtë aksion për rilidhjen e transmetimit.
Nga ana tjetër, të gjitha njësitë, si ato vendore, si ato të pushtetit qendror janë në koordinim të plotë, përsa i përket edhe pjesës së rrjetit të akseve rrugore kombëtare, edhe për to janë marrë masa. Kemi një zonë të aksit nga Tepelena në Gjirokastër, kemi pasur një rrëshqitje, rrëshqitje që nuk vjen nga skarpatet e rrugës, por vjen nga shumë më lart, duke pasur parasysh se kemi një erozion të vazhdueshëm që vjen edhe për shkak të zjarreve. Është një bisedë që e kemi bërë edhe në tryezën e këtij Bordi Emergjencash, por edhe është një plan i Qeverisë Shqiptare për të gjithë ato zona të cilat kanë qenë të goditura nga zjarret gjatë verës të fundit të ketë një nisje të një pyllëzimi, i cili do të jetë në bazë të një plani të mirë hartuar për të ndaluar kështu erozionin, i cili ne e kemi parë edhe gjatë reshjeve të 48 orëve të fundit që me të vërtetë është ndjerë impakti i asaj që ka ndodhur”, tha ajo.
Top Channel