Reshjet e shiut me intensitet mesatar vijojnë në territorin e qarkut Berat. Sipas informacioneve të siguruara nga bashkitë dhe institucionet përkatëse, problematikat kryesore janë evidentuar si pasojë e përmbytjeve.

Në bashkinë Berat, për shkak të prurjeve të mëdha ujore, është dëmtuar një pjesë e argjinaturës në fshatin Velabisht, si dhe skarpati i rrugës pranë urës së fshatit Bilçë. Janë përmbytur rreth 230 hektarë tokë bujqësore në Njësitë Administrative Velabisht dhe Otllak. Uji ka depërtuar në 4 banesa, si dhe në një kopsht fëmijësh dhe një qendër shëndetësore në Otllak. Gjithashtu janë përmbytur 7 stalla bagëtish dhe rreth 8 hektarë sera.

Situata po monitorohet nga Prefekti i Qarkut Berat dhe Kryetari i Bashkisë Berat.

Në bashkinë Dimal, janë raportuar përmbytje në 15 banesa në lagjet Dafina dhe Gur i Bardhë, si dhe përmbytja e shkollës “Muhamer Janina”. Janë përmbytur gjithashtu toka bujqësore në fshatin Çiflik. Rreth 6 familje janë evakuuar, ndërsa operacionet e evakuimit po vijojnë edhe me ndihmën e Forcave të Armatosura, veçanërisht në lagjen Dafina, ndërsa gjimnazi Muhamer Janina është nën ujë.

Aksioni po ndiqet nga Nën-prefekti i Kuçovës, Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës dhe Përgjegjësi i Sektorit të Emergjencave.

Në bashkinë Kuçovë, lumi Devoll ka dalë nga shtrati në fshatin Tapi, duke përmbytur sipërfaqe toke bujqësore.

Autoritetet janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe po koordinojnë veprimet për menaxhimin e emergjencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB