Ngjarje e rëndë në burgun e Reçit, sherr i dhunshëm mes dy të burgosurve, Astmer Bilali dhe Mikel Thani përfundojnë në spital
Pas 48 orësh reshje intensive shiu, territori i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, qyteti i Kukësit është zgjuar i zbardhur, ndërsa temperaturat kanë zbritur nën 0 gradë Celsius.
Bora ka krijuar shtresën e parë në qytet, pa shkaktuar probleme serioze në qarkullim.
Reshjet e borës janë më të dendura në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e borës ka kaluar mbi 10 centimetra.
Ndërkohë, reshjet e mëparshme të shiut kanë sjellë vërshime ujërash dhe dalje të përrenjve e lumenjve nga shtrati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore dhe duke izoluar qindra banorë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia Kukës, rrugë të bllokuara raportohen në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Malzi. Janë konstatuar gjithashtu dëmtime në disa ura, përfshirë urën e fshatit Orgjost dhe urën në lagjen Drazh të njësisë administrative Bushtricë. Rrëshqitje masive dherash dhe inertesh janë evidentuar në disa zona.
Situata më kritike paraqitet në fshatin Malqenë, njësia administrative Ujmisht, ku rrëshqitja e shpatit rrezikon banesën e shtetasit Istref Hoxha. Po ashtu, pranë urës së Koloshit në njësinë administrative Zapod, ka ndodhur shkarja e një masivi të madh shkëmbinjsh dhe inertesh, ndërsa ekipet janë në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.
Në njësinë administrative Surroj, si pasojë e erërave të forta gjatë mbrëmjes së kaluar, është dëmtuar çatia e banesës së shtetasit Riza Lusha.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se po monitorojnë situatën në terren dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e thella malore dhe në akset rrugore të prekura.
Top Channel