Probleme nga reshjet e shiut dhe dëborës në qarkun e Dibrës/ Bllokohet rruga e fshatit Zall Dardhë, dalja e përroit nga shtrati rrezik për banesat e zonës

08/01/2026 11:18

Si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës, territori i Qarkut Dibër vijon të përballet me problematika të izoluara, ndërsa situata në përgjithësi paraqitet e menaxhueshme.

Reshjet e shiut po vazhdojnë me intensitet të ulët, ndërsa dëbora ka nisur mbi 600 metra mbi nivelin e detit.

Në bashkinë Dibër, në njësinë administrative Zall Dardhë, rruga e fshatit është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu, ndërsa po punohet me mjete të rënda për hapjen e saj. Në njësinë administrative Tomin, në fshatin Zdojan, dalja nga shtrati e përroit ka rrezikuar përmbytjen e disa hektarëve tokë bujqësore dhe tre banesave; bashkia ka ndërhyrë me fadromë për normalizimin e situatës. Ndërkohë, në njësinë administrative Kastriot, në fshatin Kishavec, vijon puna për thellimin e shtratit të përroit, ndërsa në Arras, në fshatin Mustafe, po pastrohet rruga nga dherat dhe gurët e rënë.

Në bashkinë Mat, në njësitë administrative Macukull dhe Derjan janë regjistruar reshje dëbore me trashësi rreth 10 cm. Në fshatin Karicë, lagjja Doçi, është evidentuar një rrëshqitje rruge, ku po punohet për stabilizimin e saj.

Në bashkinë Bulqizë janë regjistruar reshje dëbore deri në 10 cm, pa krijuar problematika, ndërsa në bashkinë Klos po punohet për zgjidhjen e problematikave të mbartura nga ditët e mëparshme dhe nuk raportohet për situata të reja.

Në rrugën nacionale Peshkopi–Vasije dhe në segmentin e Rrugës së Arbrit, në aksin Fushë Bulqizë–Plan i Bardhë, ka prani dëbore deri në 10 cm, por operatorët kontraktorë janë në terren për pastrim dhe mbajtjen e rrugëve të qarkullueshme. Akset e tjera nacionale janë të hapura.

Autoritetet konfirmojnë se furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në të gjithë qarkun është normal, ndërsa situata vijon të monitorohet nga strukturat përkatëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB