Lumi Erzen përmbyt Sukthin dhe Katundin e Ri/ 842 banorë të evakuuar dhe 2,500 ha tokë bujqësore nën ujë Prokuroria e Durrësit kërkon hetimin mbi përmbytjet në qytetin e Durrësit.
Në shkresën e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, përmendet se hetimet kanë nisur mbas reshjeve të shiut të datave 6 dhe 7 janar, kur kanë ndodhur disa përmbytje në disa rrugë të qytetit dhe në zonat përreth.
Gjendja e krijuar, shkruhet në dokument, ka penguar procesin mësimore dhe mjekësore dhe ka penguar gjithashtu përdorimin e rrugëve urbane dhe kombëtare. Përmbytjet e banesave kanë vendosur në rrezik jetët e qytetarëve.
Në shkresë thuhet se kjo jep të dhëna të mjaftueshme se jemi përpara një fakti penal. Kryeprokurorja Suela Beluli në këtë urdhër të hetimeve, siç raporton Anila Hoxha, përkon në çuarjen e hetimeve të këtyre pasojave dhe shkaqet kanë ardhur nga mospërmbushja e detyrës për shkak të mosfunksionimit të Hidrovorit.
Në dokument thuhet se në urdhër thuhet se në zyrat e deritanishme ka ardhur një pasojë që është vdekja e punonjësit të ndërmarrjes komunale plazh. Ky shtetas ka shkuar në zonë për të vrojtuar situatën nga afër dhe dyshohet se ka humbur jetën nga rrjedha e ujit. Për këtë arsye Prokuroria dyshon se duhet të hetohet për shpërdorim të detyrës nga personat përgjegjës të mirëmbajtjes së Durrësit.
Hetimet kërkohen në drejtim të mospërmbushjes së rregullt të detyrës ndaj atyre që kanë për detyrë për situatën.
Kjo ka sjellë dëmtimin e rëndë të interesave të shtetasve dhe ka sjellë pasoja të rënda në të mirat pasurore. Shihet e arsyeshme për Prokurorinë për veprën penale të shkatërrimit të pronës me përmbytje dhe shkatërrim të pronës nga pakujdesia. Ndaj kryeprokurorja kërkoi të administroheshin të gjitha aktet e nevojshme dokumentare dhe të merren në pyetje personat që kanë dijeni.
Njoftimi i plotë:
Përmbytjet, Prokuroria e Durrësit nis hetimet për tre vepra penale nga ‘Shpërdorim detyre’ tek ‘Shkatërrimi pronës nga pakujdesia’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës regjistron kryesisht procedim penal për tre vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga nenet 153, 161 dhe 248 të Kodit Penal pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.
Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.
Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.
Top Channel