“Paketë dëmshpërblimi për dëmet në bujqësi dhe banesa”, Balluku në Novoselë: Duhen marrë masa para se situata të agravojë

08/01/2026 13:29

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet në Novoselë, në një nga vendet që është prekur më së shumti nga përmbytjet.

Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se Kryeministri do të ndërmarrë një paketë që do garantojë dëmshpërblimin për qytetarët e prekur nga përmbytjet.

“Është e rëndësishme të themi që të dyja prefekturat, si e Vlorës, ashtu dhe e Fierit, me qytetarët e bashkive të angazhuara në këto momente, jo vetëm qyteteve të prekura, janë angazhuar për ngritjen e qendrave të akomodimit dhe evakuimit.

Ne kemi parë dhe gjatë periudhës së tërmetit që banorët zakonisht nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por jeta është ajo që është e rëndësishme në këto momente. Duhet të jeni në dijeni që Kryeministri është duke dizenjuar në këto momente, së bashku me Ministrinë e Financave, një paketë e cila do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore, ashtu edhe për banesat”, tha Balluku.

Ndër të tjera ajo njoftoi se mëngjesin e së premtes do të mblidhet Komiteti i Emergjencave Ndërkombëtare ku në vëmendje do të jetë përmbytja në vend, duke bërë thirrje se duhen marrë masa përpara se situata të agravojë.

Nesër në mëngjes do të ketë një mbledhje të Komitetit të Emergjencave Ndërqeveritar, ku do të bëhet një adresim nga ana e Kryeministrit jo vetëm për zgjidhjen e situatës dhe gjithë përballimit të kësaj situate, por edhe për dëmshpërblimet që janë shumë të rëndësishme.

Nganjëherë është më mirë që të marrim masa edhe më të shpejta se vetë situate që mund të agravojë”, tha ndër të tjera zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka mbledhur me urgjencë në Prefekturën e Fierit Shtabin e Emergjencave Civile, për të analizuar situatën e përmbytjeve në qarkun Fier.

Gjatë mbledhjes, Balluku theksoi se situata paraqitet problematike veçanërisht në zonën e lumit Vjosë, ku prurjet e larta kanë shkaktuar përmbytje dhe rrezik për zona të banuara dhe tokë bujqësore.

Ministrja kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, duke theksuar nevojën për prezencë të vazhdueshme në terren dhe ndihmë konkrete për qytetarët e prekur, veçanërisht në Bashkinë Fier.

Po ashtu, Balluku udhëzoi që njësitë vendore që aktualisht nuk paraqesin problematika nga përmbytjet të vihen në dispozicion për të ndihmuar zonat më të prekura, me mjete, forca njerëzore dhe logjistikë, në funksion të përballimit të situatës së krijuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB