Si pasojë e përmbytjeve, bashkia e Durrësit ka dhënë urdhër evakuimi për banorët e Sukthit dhe të Katundit të Ri në Durrës. 

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut përkatës, strukturat e Emergjencave Civile në bashki.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara si dhe familjet në zona të izoluara. Bashkia njofton se ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Situata më kritike paraqitet në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, ku çarja e argjinaturës ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë për evakuimin e banorëve. Përmbytje janë evidentuar edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë, ndërsa në total janë përmbytur rreth 500 hektarë tokë bujqësore.

Ndërkohë, në Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht zonat pranë lumit Erzen dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke sjellë vështirësi për banorët dhe probleme në qarkullim. Rreth 2000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB