Shënohet viktima e parë nga përmbytjet në Durrës. Një person është gjetur pa shenja jete, i dyshuar i mbytur, në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit.

Një ditë më parë, kushëriri i tij kishte kallëzuar në polici mungesën e 54-vjecarit Astrit Hysenaj, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Hysenaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit të martën, ditën e përmbytjeve masive në Durrës. Ai punonte pranë ndërmarrjes komunale në plazh dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës.

Për shkak të fortunalit që ka nisur atë ditë, të martën së bashku me kolegun e punës kanë vendosur të largohen në shtëpi për t’i shpëtuar motit të keq dhe rrugës për në banesë ka rënë në kanal. Viktima ishte i angazhuar në pastrimin e bregdetit, si proces pune. Ka qenë dëshmia e kolegut të vet me të cilin ka bërë një pjesë të rrugës që ka hedhur dritë mbi fundin e 54-vjeçarit A. Hysenaj që humbi jetën si pasojë e motit të keq.

“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit“-njofton policia.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB