Fiks Fare/ “Kalojmë mbi vdekje çdo ditë”, ura e kalbur në Përlat të Epërm rrezikon fëmijë, të sëmurë dhe banorët e fshatit

08/01/2026 20:50

Një urë e vjetër prej druri, e ndërtuar rreth 20 vite më parë, është kthyer sot në një nga rreziqet më të mëdha për banorët e fshatit Përlat i Epërm.

E dëmtuar nga koha, reshjet e shiut dhe mungesa totale e mirëmbajtjes, kjo urë është i vetmi kalim që lidh një pjesë të fshatit me rrugën kryesore dhe shërbimet bazë.

Shqetësimi është ngritur në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” nga znj. Vitore Lekgegaj, infermiere prej rreth 40 vitesh dhe njëkohësisht banore e zonës. Ajo tregon se për të ushtruar profesionin e saj dhe për t’u shkuar në ndihmë banorëve, i duhet të kalojë mbi këtë urë të paktën dy deri në tre herë në ditë.

“Unë jam infermiere prej 40 vitesh dhe këtu ju kam thirrur për këtë urë, sepse është shumë e rrezikshme. Më duhet ta kaloj çdo ditë, ka raste edhe dy apo tre herë në ditë. Rruga është e keqe, por më e vështirë është kalimi në urë. Kjo urë është ndërtuar para rreth 20 vitesh dhe sot është e dëmtuar rëndë. E kam çuar këtë problem edhe në institucione, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tregon infermierja.

Sipas banorëve, gjendja e urës është përkeqësuar ndjeshëm pas reshjeve të fundit të shiut, të cilat kanë dëmtuar strukturën prej dërrase dhe kanë shtuar rrezikun për shembje. Në mungesë të ndërhyrjes institucionale, banorët janë përpjekur vetë ta mbajnë “në këmbë” me mjete rrethanore.

Frika është e përditshme, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë të detyruar ta përdorin urën për të shkuar në shkollë, në punë apo për shërbime shëndetësore. Banorët thonë se kjo situatë vazhdon prej vitesh, pa asnjë zgjidhje konkrete.

“Jam 25 vjeç dhe kjo urë gjithmonë ka qenë e rrezikshme. Kaloj çdo ditë këtu. Pas shiut u munduam vetë ta rregullojmë aq sa mundëm. Kemi shkuar edhe te kryetari i bashkisë, por nuk kemi marrë asnjë zgjidhje”, pohon një banor.

Në një rast konkret, ekipi i “Fiks Fare”, së bashku me znj. Vitore dhe banorët, shkojnë drejt banesës së një personi të sëmurë, duke kaluar mbi urën e dëmtuar, për të treguar nga afër vështirësinë dhe rrezikun real me të cilin përballen çdo ditë si banorët por edhe infermierja për të ofruar ndihmë mjekësore.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Njësisë Administrative dhe Bashkisë Mirditë pranojnë se janë në dijeni të situatës. Astrit Deda, përfaqësues i njësisë administrative, shprehet se ura nuk është një urë klasike, por një pasarelë prej dërrasash, e cila ka pësuar dëmtime pas reshjeve të shumta të muajve të fundit.

Ai thekson se është kryer një ndërhyrje emergjente dhe se pritet një rregullim më i plotë.

Ndërkohë, Bashkia Mirditë konfirmon se ndërhyrja aktuale është vetëm provizore dhe se një zgjidhje përfundimtare kërkon fonde dhe kushte më të favorshme për punime.

Deri atëherë, banorët e Përlatit të Epërm vazhdojnë të përballen çdo ditë me rrezikun, duke kaluar mbi një urë të kalbur, pa mbrojtëse dhe pa asnjë standard sigurie, ndërsa premtimet institucionale mbeten ende pa afate konkrete.

 

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB