“Paketë dëmshpërblimi për dëmet në bujqësi dhe banesa”, Balluku në Novoselë: Duhen marrë masa para se situata të agravojë Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave.
Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.
Shkak janë bërë rrëshqitjet masive të dherave, si dhe dalja nga shtrati i përrenjve dhe lumenjve, të cilët kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë.
Veçanërisht problematike paraqitet rruga kryesore e kësaj njësie, ku rreth 200 metra rrugë janë marrë nga lumi Orgjost, duke e bërë të pamundur qarkullimin. Prej më shumë se 24 orësh, banorët e zonës janë të izoluar, ndërsa deri më tani nuk është ndërhy nga Bashkia Kukës.
Situata në terren është teje serioze e banorët të qëndrojnë në banesat e tyre, për shkak të rrezikut të lartë që paraqesin rrugët, si pasojë e ujërave, rrëshqitjeve të dherave dhe rënies së gurëve.
Situata paraqitet problematike edhe në fshatra të tjera të njësive administrative përreth, si Lojme, Nimç, Borje, Bele, Xhaferaj, Tërshenë, Vilë, Qajë, Tejdrinë dhe Lusën, të cilat janë të bllokuara që prej ditës së djeshme.
Ndërkohë, një situatë alarmante raportohet edhe në afërsi të fshatit Lojme, ku shpati i malit ka pësuar lëvizje të mëdha, duke u zhvendosur me disa metra. Si pasojë, pemët kanë rënë në kontakt me telat e tensionit të lartë, duke shkaktuar shkarkime elektrike dhe shkëndija zjarri, çka rrit rrezikun për banorët dhe zonën përreth.
Top Channel