Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si dhe dëmtime (shkarje) të rrugës kryesore që lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.
Si pasojë e shkarjes së dherave, një prej banesave është shembur plotësisht, ndërsa tjetra ka pësuar dëmtime të rënda.
Banorët tregojnë momentet e frikshme të shembjes së shtëpisë. Një e moshuar 70-vjeçare rrëfen se rreth orës 02:00 të mëngjesit, muri i banesës u shemb papritur për shkak të masës së madhe të dherave që rrëshqitën nga shpati.
“Në orën 01:30 dëgjova krisma, dola jashtë, por nuk pashë gjë. Në orën 02:00, ndjen djali dhe më thotë ‘ra muri o ma’. Dolëm menjëherë dhe nuk dinim çfarë të bënin, çfarë të merrnim nga shtëpia. Shtëpia imë u dëmtua totalisht. Nuk e dimë ku të qëndrojmë sonte. S’kemi njerëz të afërt këtu. Jetoj me burrin dhe me djalin. Djalin e kam të sëmurë dhe nuk flet dot”, shprehet e moshuara me lot në sy. Ajo thotë se aktualisht nuk ka asnjë mundësi strehimi dhe apelon për ndihmë nga bashkia.
Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Ballaj flet për situatën në këtë zonë, duke thënë se dy banesa janë dëmtuar dhe se është bllokuar rruga nga shkarja e tokës.
Nga ana tjetër, pritet reagimi i autoriteteve vendore lidhur me situatën dhe masat që do të merren për strehimin e familjeve të prekura.
Top Channel