LAJM I FUNDIT/ Rrezikohen banesat, jepet urdhër evakuimi në Sukth dhe Katund i ri në Durrës Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, që përmbytën Durrësin dhe paralizuan të gjithë jetën në qytet e periferinë e tij, situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës vijon të jetë kritike.
Uji ka përmbytur gjithçka dhe nuk është tërhequr as nga rrugët dytësore dhe as nga banesat e shumë familjeve.
Këto pamje janë nga banesa e familjes Sosoli, mëngjesin e sotëm. Një prej familjeve më të prekura në zonë. Banesa e tyre vazhdon të jetë e mbushur me ujë dhe e rrethuar nga uji, i cili ka dëmtuar orenditë, pajisjet elektroshtëpiake dhe çdo send të domosdoshëm për jetesën e përditshme. Sipas tyre, dëmet janë të mëdha, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet mungesa e ndihmës. Ata shprehen se deri tani askush nuk ka shkuar për t’i asistuar, duke u ndjerë të izoluar dhe të lënë në harresë.
E njëjta situatë paraqitet edhe për shumë familje të tjera në ish-Kënetë, Durrësin e Ri, ku uji vazhdon të jetë një rrezik jo vetëm për banesat, por edhe për shëndetin e banorëve, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Problematike mbetet situata dhe në Spitallë e Nishtulla.
Ndërkaq, në pjesën tjetër të qytetit, situata paraqitet më e qetë. Uji është tërhequr nga të gjitha rrugët kryesore të Durrësit, si edhe nga aksi kombëtar Durrës- Tiranë, duke rikthyer normalitetin në qarkullim.
Top Channel