Fiks Fare/ Janari i dytë i Durrësit, dhjetëra miliona euro shpenzime për të “përmbytur” mijëra familje

07/01/2026 20:50

Fiks Fare udhëtoi për të disatën herë në Durrës, në disa nga lagje të cilat janë prej orësh e orësh nën pushtetin e ujit.

Historia përsëritet sa herë që në vend bie shi i dendur, duke sjellë fryrjen e kanaleve dhe praninë e ujërave të shiut, por edhe të zeza, në banesat e qindra mijëra familjeve.

Dy përmbytjet e fundit të Durrësit, të ndodhura në janar 2025 dhe janar 2026, duket se janë një fatkeqësi me përgjegjës sa natyrën aq edhe njerëzit, veçanërisht shtetarët. Natyra s’të fal nëse ndërton në kënetë, afër shtretërve të lumenjve apo detit. Njerëzore për shkak se, strukturat shtetërore, të cilat duhet të merrnin masa në kohë dhe në vijimësi, nuk kanë ndërhyrë për të eliminuar këto rreziqe.

Skandali thellohet më tej, veçanërisht në Durrës dhe rrethinat e tij, për shkak se vetë shteti ka shpenzuar dhjetëra miliona euro për të ndërtuar vepra që do t’u bënin ballë përmbytjeve. Realiteti është krejt ndryshe, pasi kamera e emisionit investigativ shkoi ditët e fundit në dhjetëra familje në zonën e ish-Kënetës dhe Spitallës.

Grupi i Fiks Fare solli raste të familjeve të përmbytura, teksa banorët as me çizme nuk mund të futen në shtëpi. Një prej tyre thotë se ka 5 vite që përmbytet dhe familja e saj s’ka marrë asnjëherë dëmshpërblim. “Na kanë thënë se do të marrim këtë vit, por s’kam shpresë” thotë e zonja. Ndërkohë, uji ka depërtuar në çdo cep të banesës, teksa të gjitha mobiliet dhe pajisjet ekektroshtëpiake janë nën ujë.

E njëjta situatë është në të gjithë zonën, teksa fjalët e banorëve vetëm sa përsëriten e përsëriten dhe asnjëherë s’është marrë ndonjë masë. Fiks Fare ka denoncuar në kohë të ndryshme përballjen e këtyre mijëra banorëve, të cilët në verë jetonin mes aromës së rëndë të ujërave të zeza dhe në dimër nën pushtetin e ujit.

Në zonën e Porto Romanos në Durrës u ndërtua një Hidrovor, i cili është vënë në punë. Por, dje dhe sot, e gjithë zona që duhet të “pastrohej” nga kjo vepër, u përmbyt, megjithëse ishin investuar plot 20 milionë euro. Në muajin qershor të vitit 2024, Bashkia e Durrësit e vuri në punë Hidrovorin. U bënë investimet në kanalizime dhe në këtë vepër, por sërish problemi mbeti, pasi banorët e Spitallës dhe ish-Kënetës, jo vetëm që u përmbytën në fillim të 2025-ës, por u përmbytën sërish dje.

Fiksi ka hulumtuar dhjetëra dokumente në investigimet e muajit qershor 2024 dhe shkurtit 2025, ku rezulton se nga viti 2021 dhe në vijim, janë hedhur miliona e miliona euro. Fillimisht u hodhën rreth 900 mijë euro për disa kanale, ndërkohë që më vonë u hap tenderi i madh, plot 20 milionë euro. Më pas të tjera miliona për plotësime punimesh, të gjitha për Hidrovorin në Porto Romano.

Vitin e kaluar, Bashkia e Durrësit tha për “Fiks Fare” se Hidrovori ishte në fazë testimi. Po sivjet cili ishte problemi?! Vjet thanë se ishin shirat më të mëdha të 10 viteve të fundit, po sivjet?

Fiksi e paralajmëroi kur filloi ndërtimi i hidrovorit të ri që Durrësit sërish do të përmbytej. Hidrovori i ri në Porto Romano është ndërtuar në një distancë më të largët se i vjetri. Uji tashmë ka një rrugë më të gjatë për të përshkuar. Madje, edhe kanali që është hapur për të çuar ujin te Hidrovori i ri, duhet të kalojë në më shumë territor. A e kishin marrë parasysh projektuesit, ndërtuesit dhe financuesit e kësaj vepre?!

Krahas Durrësit, përmbytje ka pasur edhe në Kavajë. Grupi i Fiks Fare udhëtoi në zonën e Qerretit, në një familje me 5 fëmijë dhe me kryefamiljarin invalid. Kjo familje prej shumë orësh qëndronte nën pushtetin e ujit. E zonja e shtëpisë tregoi se ka telefonuar dhe është ankuar për situatën në Bashkinë e Kavajës. “Telefonova kryetarin dhe nënkryetarin për të marrë zgjidhje, por s’morëm asnjë përgjigje. Ne nuk kemi ku të flemë” thotë ajo.

Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me Bashkinë e Kavajës, duke u kërkuar që të marrin masa për strehimin e familjes. Nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Genci Gjyshemi, tha se do e dërgonte familjen në hotel dhe më pas në banesat sociale. Disa orë pas interesimit të Fiksit, familja u strehua në një hotel në zonën e Qerretit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB