“Çfarë po i ngadalëson lidhjet ekonomike Izrael–Shqipëri”, opinion nga Jerusalem Post: Ky vizion është i ngrirë me arrestimin e Veliajt
Nga Ilir Demalia
Fuqisë së Nënës Natyrë nuk mund t’i ikim. Por tragjedia fillon kur Nëna Natyrë tërbohet nga një furi që ia ka shkaktuar vetë njeriu. Dhe kjo nuk është më metaforë. Është realitet i përditshëm shqiptar.
Këtu nuk e kam fjalën për popullin “heroik” të miteve, por për atë realitet brutal që nga viti 1992 e këtej ka ndërtuar në kënetë, mbi hidrovore, në toka bujqësore, mbi kanale kulluese, pranë lumenjve dhe në bregdet. Zaptime të tokave publike e private, hunj e drunj, kasolle të kthyera në pallate, legalizime kriminale, asnjë mendim për kanalizime, për ujëra të bardha, për ujëra të zeza, për kullim.
Ndërto për të shkatërruar dhe shkatërro për të “ndërtuar”.
Këta nuk janë thjesht njerëz të varfër që kërkuan strehë. Janë barbarë modernë që shkatërruan qytetet dhe bregdetin, pa asnjë lidhje me qytetarinë dhe përgjegjësinë komunitare. Dhe sot, ironikisht, shumica e tyre janë quajtur “sipërmarrës”, “investitorë strategjikë”, “biznesmenë të suksesshëm”.
Këta nuk janë njerëz dosido. Janë produkt i një sistemi të ndërtuar qëllimisht nga bashkëpunimi katërkëndësh politikë–biznes–media–krim, një sistem që ka funksionuar pandërprerë që nga viti 1992. Sot ky sistem ka hyrë në fazën e kolapsit dhe përmbytjet janë vetëm simptoma fizike të një sëmundjeje morale dhe institucionale.
Kjo nuk mbulohet më me bën muuuuu.
Faktet janë aty – shifrat janë aty
Vetëm për sektorin e ujësjellës–kanalizimeve, Shqipëria ka përfituar:
• kredi dhe grante nga Banka Botërore (Water Supply and Sanitation Projects, disa faza që nga vitet ’90),
• fonde nga BERZH për ndërmarrjet e ujësjellësit,
• fonde të Bashkimit Europian (IPA),
• buxhete shtetërore të përsëritura çdo vit.
Në total, sipas të dhënave të vetë qeverive shqiptare dhe raporteve të KLSH, flitet për rreth 1.5 – 2 miliardë dollarë të alokuara në 30–35 vite për ujë të pijshëm, kanalizime, mbrojtje nga përmbytjet dhe rehabilitim kanalesh.
Pyetja është e thjeshtë:
Ku janë?
Durrësi – qytet pa ujë, qytet nën ujë
Durrësi, një nga qytetet më të mëdha dhe më të pasura potencialisht, sot përmbytet me 20–30 cm reshje shiu, një nivel që çdo qytet normal e përballon pa asnjë problem. Kanalizimet nuk funksionojnë, sepse:
• janë ndërtuar pa standard,
• janë bllokuar nga ndërtimet,
• nuk janë mirëmbajtur kurrë.
Ndërkohë, uji i pijshëm në rubineta vjen një herë në dy ditë, ndonëse qyteti furnizohet nga burime të shumta dhe ka pasur projekte të shumta “rehabilitimi”. Ujin e pi “kulçedra” politike–biznes–klienteliste, që e përdor për resorte, ndërtime pa kriter, lidhje ilegale. Media hesht. Institucionet bëjnë sikur nuk shohin. Krimi garanton qetësinë e skemës.
Shkodra – laboratori i dështimit shtetëror
Shkodra ka pasur projekte specifike për mbrojtje nga përmbytjet, digat, argjinaturat e Bunës dhe Drinit, financime të huaja dhe plane kombëtare. Rezultati: përmbytje ciklike, çdo disa vite, të njëjtat zona, të njëjtat premtime, të njëjtat mashtrime.
Lumenjtë janë ngushtuar, kanalet janë zënë, tokat janë ndërtuar, dhe pastaj bëjmë sikur përmbytja është “fatkeqësi natyrore”.
Jo. Është krim i organizuar institucional.
Shoqëri që po kryen vetëvrasje
E gjithë shoqëria është ushqyer me këtë normalitet të sëmurë. Me idenë se “kështu është Shqipëria”, se “s’kemi ç’të bëjmë”, se “të gjithë vjedhin”. Ndërkohë po kryejmë vetëvrasje kolektive. Natyrën e kemi vrarë, territorin e kemi shkatërruar, institucionet i kemi kthyer në fasadë.
Qytetaria e një vendi fillon nga përgjegjësia qytetare. Shqiptarëve kjo u ka munguar dhe u mungon ende, sepse për dekada janë trajtuar si turmë e manipulueshme, jo si qytetarë me të drejta dhe detyrime.
Por një shoqëri pa përgjegjësi qytetare dhe pa shtet funksional nuk përmbytet vetëm nga uji.
Përmbytet nga kalbëzimi.
Mjaft është mjaft.
Top Channel