“Nuk kanë bërë një punë të mirë”, JD Vance kritikon Evropën dhe Danimarkën pas çështjes së Groenlandës: Nuk kanë investuar në mbrojtje
Administrata Trump i ka dërguar një paralajmërim ministrit të Brendshëm të Venezuelës se ai mund të jetë në krye të listës së objektivave të saj, nëse nuk ndihmon presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez të përmbushë kërkesat e SHBA-së dhe të ruajë rendin pas rrëzimit të Nicolas Maduros, sipas tre personave të njohur me çështjen.
Diosdado Cabello, i cili kontrollon forcat e sigurisë të akuzuara për shkelje të gjera të të drejtave të njeriut, është një nga besnikët e Maduros, mbi të cilët presidenti Donald Trump ka vendosur të mbështetet si sundimtarë të përkohshëm për të ruajtur stabilitetin gjatë një periudhe tranzicioni, tha një burim i informuar mbi mendimin e administratës.
Zyrtarët amerikanë janë veçanërisht të shqetësuar se Cabello, duke pasur parasysh historinë e tij të represionit dhe rivalitetin e vjetër me Rodríguez-in, mund të luajë rolin e sabotuesit të procesit. Ata po kërkojnë ta detyrojnë atë të bashkëpunojë, ndërkohë që po shqyrtojnë mënyra për ta larguar përfundimisht nga pushteti dhe për ta dërguar në mërgim, tha burimi, i cili foli në kushte anonimiteti.
PARALAJMËRIM PËR CABELLO-n
Ndërkohë, përmes ndërmjetësve, Cabello-s i është komunikuar se nëse tregohet sfidues, ai mund të përballet me një fat të ngjashëm me atë të Maduros, udhëheqësit autoritar të kapur në një bastisje amerikane të shtunën dhe të dërguar me urgjencë në Nju Jork për t’u përballur me akuza për “narko-terrorizëm”, ose se jeta e tij mund të vihet në rrezik, tha burimi.
Por eliminimi i Cabello-s do të ishte i rrezikshëm, pasi mund të nxisë grupet proqeveritare me motoçikleta, të njohura si colectivos, të dalin në rrugë, duke shkaktuar kaos — pikërisht atë që Uashingtoni dëshiron të shmangë. Reagimi i tyre, megjithatë, mund të varet nga fakti nëse ata ndihen të mbrojtur nga zyrtarë të tjerë.
Në listën e objektivave të mundshëm është gjithashtu ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino, i cili, ashtu si Cabello, është nën aktakuzë amerikane për trafik droge dhe ka një shpërblim prej disa milionë dollarësh mbi kokën e tij, sipas dy burimeve.
“Ky mbetet një operacion i zbatimit të ligjit dhe ne nuk kemi mbaruar ende,” tha një zyrtar i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, duke folur në kushte anonimiteti. Zyrtarët amerikanë e shohin bashkëpunimin e Padrino-s si thelbësor për të shmangur një vakum pushteti, për shkak të komandës së tij mbi forcat e armatosura. Ata besojnë se ai është më pak dogmatik se Cabello dhe më i prirur të ndjekë vijën amerikane, ndërkohë që kërkon një zgjidhje të sigurt për veten, tha burimi i informuar mbi mendimin e administratës.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve specifike të Reuters-it, por në një deklaratë tha: “Presidenti po flet për ushtrimin e presionit maksimal mbi elementët e mbetur në Venezuelë dhe për sigurimin që ata të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, duke ndalur migracionin e paligjshëm, trafikun e drogës, duke ringjallur infrastrukturën e naftës dhe duke bërë atë që është e drejtë për popullin venezuelian.” Ministria e Komunikimit e Venezuelës, e cila trajton të gjitha kërkesat për shtyp për qeverinë, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
ADMINISTRATA DYSHON SE OPOZITA GARANTON RUAJTJEN E PAQES
Administrata amerikane vlerëson se opozita e Venezuelës, e udhëhequr nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqen Maria Corina Machado, nuk do të ishte në gjendje të ruante paqen në një moment kur Trump dëshiron mjaftueshëm qetësi në terren për të hapur rrugën e aksesit të kompanive amerikane të naftës në rezervat gjigante të Venezuelës dhe për të shmangur vendosjen e forcave amerikane në terren, tha burimi.
Në vend të kësaj, Trump pëlqen një vlerësim të klasifikuar të CIA-s që ka dalë në përfundimin se ndihmësit më të afërt të Maduros do të ishin më të përshtatshëm për të drejtuar vendin përkohësisht, sipas burimeve të informuara mbi çështjen.
Zyrtarët amerikanë kanë vendosur gjithashtu të punojnë për momentin me aleatët e Maduros, nga frika se vendi mund të zhytet në kaos nëse përpiqen të imponojnë një dorëzim demokratik të pushtetit, dhe se një anëtar i përjashtuar i rrethit të ngushtë mund të nxisë një grusht shteti, sipas njërit prej burimeve.Megjithatë, administrata dëshiron që përfundimisht të ketë një lëvizje drejt zgjedhjeve të reja, kanë thënë zyrtarë amerikanë, edhe pse afati kohor mbetet i paqartë.
Trump nuk ka dhënë një shpjegim të qartë se si Uashingtoni do ta mbikëqyrë Venezuelën pas ndërhyrjes më të madhe amerikane në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989. Kritikët e kanë dënuar atë si neokolonializëm dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
RODRÍGUEZ SHIHET SI PIKA KYÇE
Për momentin, Uashingtoni e sheh Rodríguez-in si bastin e tij më të mirë për të mbajtur përkohësisht pushtetin, ndërsa vazhdon të zhvillojë plane për qeverisjen e Venezuelës pas Maduros, një strategji që një burim e përshkroi si “ende shumë në proces”.
Ndër kërkesat amerikane për udhëheqësit e Venezuelës janë: gatishmëria për të hapur industrinë e naftës së vendit me kushte të favorshme për kompanitë amerikane, goditja e tregtisë së narkotikëve, dëbimi i personelit kuban të sigurisë dhe ndërprerja e bashkëpunimit venezuelian me Iranin, tha burimi i informuar mbi mendimin e administratës. SHBA-ja dëshiron të shohë përparim drejt përmbushjes së objektivave të saj brenda pak javësh, tha burimi. Përtej kërcënimeve për veprime të mëtejshme ushtarake, SHBA-ja mund të përdorë financat e Rodríguez-it si mjet presioni. SHBA-ja i ka identifikuar këto asete, të strehuara në Katar, dhe mund t’i sekuestrojë ato, tha burimi.
Një zyrtar nga Katari i tha Reuters-it se pretendimet se Rodríguez ka asete në Katar janë të pasakta. “Ajo nuk mban asnjë llogari financiare apo pasuri në Katar,” tha zyrtari.
KOOPTIMI I ZYRTARËVE VENEZUELIANË
Autoritetet amerikane dhe ndërmjetësit e tyre po përpiqen gjithashtu të kooptojnë zyrtarë të tjerë të lartë venezuelianë, si dhe figura në nivele më të ulëta, për të hapur rrugën drejt një qeverie që do t’u nënshtrohet interesave të Uashingtonit, tha burimi.
Premtimi i Trump për të “drejtuar” Venezuelën duket për momentin më shumë si një aspiratë për të ushtruar kontroll të jashtëm, ose të paktën ndikim të fortë, mbi vendin anëtar të OPEC-ut, pa vendosur trupa tokësore amerikane, një veprim që do të ishte i papëlqyer brenda vendit.
Këshilltarët e Trump-it e shohin Rodríguez-in si hallkën kyçe: një teknokrate që ata besojnë se është e gatshme të punojë me SHBA-në për tranzicionin dhe çështjet e naftës, sipas personave të informuar mbi strategjinë amerikane.
Edhe pse ajo dhe besnikët e tjerë të lartë të Maduros kanë shfaqur një front kryesisht të bashkuar, nuk është e qartë nëse kjo do të zgjasë.
Rodríguez dhe Cabello kanë vepruar për vite me radhë në zemër të qeverisë, legjislaturës dhe partisë socialiste në pushtet, por kurrë nuk janë konsideruar aleatë të ngushtë.
Cabello, ish-oficer ushtarak dhe i parë si zbatuesi kryesor i represionit brenda qeverisë së Maduros, ushtron ndikim mbi agjencitë ushtarake dhe civile të kundërzbulimit të vendit, të cilat kryejnë spiunazh të gjerë të brendshëm.
“Maduro e solli atë për t’u marrë ashpër me kundërshtarët pas zgjedhjeve të vjedhura,” tha Geoff Ramsey, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në institutin kërkimor Atlantic Council. Kombet e Bashkuara kanë konstatuar se si SEBIN-i, agjencia civile, ashtu edhe DGCIM-i, shërbimi i inteligjencës ushtarake, kanë kryer krime kundër njerëzimit si pjesë e një plani shtetëror për të shtypur mospajtimin.
Top Channel