Dita e ‘Ujit të Bekuar’ festohet edhe nga besimtarët ortodoksë të Beratit, kryqi hidhet në lum, kapet nga një 15-vjeçar

06/01/2026 11:39

Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë.

6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, ose e njohur në popull si dita e Ujit të Bekuar, për besimtarët beratas është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës, nëpërmjet të cilës ata përkujtojnë pagëzimin e zotit të tyre, Jezu Krishtit, në ujërat e lumit Jordan, duke e pasqyruar këtë pagëzim të shenjtë çdo vit në ujërat e lumit Osum.

Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, Imzot Asti, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e këmbanave të Kishës, iu drejtua lumit Osum për të hedhur kryqin, simbol të kësaj feste.

10 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit, mes tyre këtë vit edhe një fëmijë 8-vjeçar. Kryqi u kap nga 15-vjeçari Fabio Naço, banues në lagjen “Gorricë” në Berat.

Si çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, më pas ai shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Gorricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB