Reshjet e dendura të shiut, rrëshqitje dherash në Gjirokastër, rrezikohen banesat në lagjen Manalat 6 janari i këtij viti, i njohur nga besimtarët e fesë ortodokse si Dita e Dritës dhe Ujit të Bekuar, është shoqëruar nga ceremoniali tradicional i Dritës dhe hedhjes së kryqit në detin Jon në Sarandë.
Besimtarë të shumtë iu drejtuan kishës së “Shën Harallambit”, në qytetin e Sarandës, ku morën pjesë në meshën për bekimin e ujit e dhënë nga Athanail, Despoti i Gjirokastrës, i cili përcolli mesazhe paqeje, uniteti dhe shprese për besimtarët.
Në mbarim të meshës të pranishmit u spërkatën me ujin e bekuar. Pas meshës në Kishë një numër i madh besimtarësh kanë shoqëruar ceremonialin e hedhjes së kryqit në ujë.
Kryqi i shenjtë është hedhur në ujërat e Jonit, nga trampolina e ngritur buzë detit në segmentin e shetitores përballë me Kishën e “Shën Harallambit” në Sarandë. Me hedhjen e kryqit në ujë simbolikisht është bërë edhe bekimi i të gjitha ujërave. Pas Kryqit janë hedhur në ujërat e ftohta disa të rinj.
Kryqin e shenjtë në këtë 6 janar e kapi Andrea Baruta nga Derviçani. “Është e pesta herë që hidhem për kryqin dhe hera e dytë që kap kryqin. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë për ta kapur kryqin. Uroj paqe, mbarësi, shëndet.”, shprehet ai.
Ceremonia e Dritës së Ujit të Bekuar ka vazhduar më tej me kthimin e besimtarëve në oborrin e kishës “Shën Harallambi”, ku secili prej tyre ka marrë ujë të bekuar për në shtëpitë e tyre.
Top Channel