Besimtarët ortodoks në qytetin e Fierit kanë festuar sot Ditën e Ujit të Bekuar.
Kisha e Shën Gjergjit organizoi si çdo vit hedhjen e kryqit në ujë, një ceremoni tradicionale që përkujton pagëzimin e Jezus Krishtit në lumin Jordan.
Procesioni ka nisur me meshën në kishë, dhe më pas besimtarët, së bashku me qytetarët e tjerë, janë drejtuar në shatërvanin e Sheshit Europa. Atje, si pjesë e ritualit, ka ndodhur hedhja e kryqit në ujë, ku disa të rinj, megjithë temperaturat e ulëta dhe reshjet e shiut, janë hedhur në ujë për të marrë kryqin dhe trofeun që i jepet fituesit.
Për të dytin vit radhazi, 18-vjeçari Samuel Kola nga Roskoveci ka nxjerrë kryqin nga uji, duke e dorëzuar atë te Metropoliti At Nikolla, i cili e ka bekuar.
Ditën e Ujit të Bekuar, besimtarët besojnë se të gjitha ujet që rrjedhin janë të bekuar dhe i përdorin ato për t’i ruajtur në shtëpi për gati një vit. Kjo ditë është e lidhur me Dita e Shën Trinisë, momentin kur Krishti u pagëzua nga Gjoni Pagëzori.
Top Channel