Kisscam-i 16 sekonda i Coldplay i shkatërroi jetën, rrëfehet ish-shefja e HR-së, Kristin Cabot: Vajza shpërtheu në lot, u mbylla në një shtëpi në mal dhe…

05/01/2026 14:24

Për herë të parë, ish-drejtoresha ekzekutive e Astronomer flet publikisht për panikun pasi pa videon, ndikimin mbi fëmijët e saj dhe rrezikun e turmës online.

“Gjithçka m’u shfaq para syve në një çast,” kujton Kristin Cabot momentin kur Chris Martin i shkatërroi jetën në një koncert të Coldplay në korrik.

Momenti në fjalë, një përqafim me Andy Byron, shefin e saj të martuar, u kap nga “kisscam”-i që filmonte publikun në Boston. “Ose kanë një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm,” bëri shaka Martin, ndërsa të dy u përkulën dhe fshehën fytyrat.

Një klip 16-sekondësh, i filmuar nga një tjetër pjesëmarrës në koncert dhe i postuar në TikTok, u shndërrua në një nga videot më virale të të gjitha kohërave, duke marrë 150 milionë shikime brenda pak ditësh. Ai mobilizoi një turmë online të vendosur të shkatërronte jetën e Cabot dhe Byron-it, të cilët u supozuan gjerësisht se ishin kapur duke tradhtuar.

Cabot, 53 vjeçe, nuk kishte folur kurrë publikisht për këtë përvojë deri tani. Në një intervistë për The Times, nëna e dy fëmijëve thotë se përqafimi ishte hera e parë që ajo dhe Byron kishin shfaqur si afeksion fizik. Të dy, sipas saj, ishin të ndarë në mënyrë miqësore nga bashkëshortët.

“Mund të më kishte goditur rrufeja, mund të kisha fituar llotarinë, ose mund të kishte ndodhur kjo,” thotë ajo për faktin që momenti intim u transmetua në një stadium me 50 mijë njerëz, përpara se të shihej dhe analizohej nga miliona të tjerë në rrjetet sociale.

Vëmendja, mendoi ajo, do të kishte qenë e drejtë po të ishte e famshme apo figurë publike. “Por unë nuk jam ndonjë celebritet, jam thjesht një nënë nga New Hampshire,” thotë ajo. “Edhe sikur të kisha pasur një aferë, nuk është punë e askujt”.

“Ishte si një shkronjë e kuqe turpi; njerëzit fshinë gjithçka që kisha arritur në jetën dhe karrierën time. Kjo nuk mund të jetë fjala e fundit.”

“Dashuria e madhe e ëmbël”

Cabot iu bashkua Astronomer-it, start-up-it teknologjik të Byron-it, si drejtoreshë e burimeve njerëzore në nëntor të vitit të kaluar. Ajo u përzgjodh nga rekrutuesit falë dekadave përvojë në agjenci të mëdha reklamash, ku kolegët e shihnin si “një yll në strategjinë e burimeve njerëzore”.

Ajo kishte dëgjuar fjalë të mira për Byron-in. Të gjitha, thotë ajo, dolën të vërteta. Ishte një shef që “sigurohej që gratë të kishin vend në tryezë, që zëri im të ishte po aq i fortë sa i kujtdo tjetër”. “Ishte kompania e parë, në profesione të dominuara nga meshkujt, ku ndjeva se gjinia ime nuk ishte çështje.”

Punonin ngushtë bashkë, duke ndarë të njëjtin vizion për rritjen e kompanisë. “Patjetër që mendova se ishte djalë i pashëm dhe pata atë mendimin: ‘Po të mos punoja këtu…’”

Rreth një muaj para koncertit, thotë Cabot, të dy i treguan njëri-tjetrit se ishin ndarë nga partnerët: ajo nga bashkëshorti Andrew, CEO i një distilerie familjare, Privateer Rum, dhe Byron nga gruaja e tij, Megan, mësuese shkolle.

“Unë mendoj se ndarja ime nuk do ta kishte befasuar, por e tija po,” thotë ajo nga apartamenti i saj në Boston. “Të kesh dikë që po kalon të njëjtën gjë në të njëjtën kohë ishte një mbështetje e jashtëzakonshme.”

Me kalimin e kohës, ndjenjat e saj u shndërruan në atë që ajo e quan “një dashuri të madhe e të lumtur”.

Kur miqtë i dhanë dy bileta falas për Coldplay, ajo vendosi t’ia ofronte biletën e dytë Byron-it.

Natën e koncertit, vajza e saj 14-vjeçare, një nga dy fëmijët që kishte me bashkëshortin e parë, i dërgoi mesazh se bashkëshorti i saj i dytë, Andrew, do të ishte aty gjithashtu. Më vonë, ajo mësoi nga një mikeshë se Andrew ishte atje në një ‘date’.

Kjo, thotë ajo, ia qetësoi ndërgjegjen që ishte me Byron-in.

Cabot thotë se ishte “në majë të botës” përpara se kisscam-i ta kapte me Byron-in. “Ishim ulur në fund të stadiumit, në anën e kundërt nga skena, në errësirë totale, duke u ndjerë plotësisht anonimë mes 50–60 mijë njerëzve,” thotë ajo. “Thjesht po kërcenim, kisha pirë disa High Noon (seltzer me vodka). Andy ishte pas meje, po kërcenim dhe unë e përqafova.”

“Nuk e dëgjova njoftimin që po vinte xhambotroni, ndaj papritur e pashë veten në ekran,” thotë ajo. Instinkti i saj ishte të mbulonte fytyrën; i Byron-it të përkulej dhe të fshihej. “Nuk jam i sigurt çfarë të bëj,” tha Martin me siklet, “ju zbuluam?”

“Reagimi im i menjëhershëm ishte: ‘O Zot, Andrew është këtu’,” thotë Cabot. “Ishim në mes të një ndarjeje jashtëzakonisht dhe mrekullisht miqësore. Kisha frikë se do ta turpëroja. Ai është njeri i mrekullueshëm dhe nuk e meriton këtë.

“Pastaj, një çast më vonë, mendja më shkon te: ‘O Zot, Andy është shefi im’, kjo duket keq. Bostoni nuk është qytet i madh. Dhe edhe pse nuk ishte event i Astronomer-it, mund të kishte investitorë apo staf aty.”

Mikja e saj e vjetër, Alaina, është gruaja në video që shihet duke qeshur nervozisht.

Cabot dhe Byron u larguan me ngut nga stadiumi Gillette, duke menduar çfarë duhej të bënin. Ranë dakord se duhej t’i dërgonin një email të përbashkët bordit të drejtorëve të Astronomer-it, në rast se lajmi dilte.

Morën një taksi deri te vendi ku kishin parkuar. “Ishte shumë heshtje,” thotë ajo. “Mendoja vetëm: ‘Andrew do të më vrasë’ dhe ‘çfarë bëjmë me punët tona?’”

U ndanë rrugët më vonë dhe folën në telefon rreth mesnatës për disa orë, duke hartuar emailin për bordin. Rreth orës 4 të mëngjesit, Andrew i dërgoi asaj një screenshot të videos online me mesazhin: “Mendoj se duhet ta dish që kjo është publikuar.”

Videoja ishte shpërndarë në TikTok nga Grace Springer, e cila shkroi: “Luaj lojëra budallaqe, fito çmime budallaqe.” Filluan hetimet online për të identifikuar çiftin.

Të nesërmen në mëngjes, Cabot iu drejtua bordit të Astronomer-it. “U kërkova falje pa fund që u ktheva në një shpërqendrim,” kujton ajo. “Nuk ishin të kënaqur, por u treguan të sjellshëm. Thjesht thanë: ‘Këto gjëra ndodhin’.”

Departamenti i burimeve njerëzore do të hapte një hetim. “Natyrisht ishte e çuditshme, sepse zakonisht kjo do të ishte puna ime,” qesh ajo.

“Vajza ime shpërtheu në lot”

Cabot donte t’ua tregonte fëmijëve, vajzës dhe djalit 16-vjeçar, përpara se ta dëgjonin nga të tjerët. “Vajza ime shpërtheu në lot, duke thënë: ‘Mesa duket kjo do të thotë që vërtet po divorcohesh’,” ndërsa djali u përpoq ta qetësonte duke i thënë se “ndoshta do të kalojë”.

Nuk kaloi.

Videoja u kthye në material për emisione nate dhe kolumna thashethemesh. “Coldplaygate është një kujtesë e fortë se kamerat janë kudo,” shkroi The New York Times. U përmend madje edhe në një konferencë për shtyp në Zyrën Ovale me presidentin Trump.

Ndërkohë, llogaritë e Byron-it dhe Cabot në LinkedIn u mbushën me komente tallëse që citonin tekstet e Coldplay. “Dritat nuk e çuan Andyn në shtëpi,” shkruante një koment. U hapën edhe llogari të rreme në Facebook në emër të bashkëshortëve të tyre.

Ishte një përzierje perfekte: dyshim për tradhti, një CEO teknologjie dhe shefja e HR-së, e lidhur me një nga familjet më të pasura të New England-it.

Astronomer hodhi benzinë mbi zjarr duke punësuar ish-gruan e Martin-it, Gwyneth Paltrow, në një reklamë. E tmerruar, Cabot hodhi poshtë gjithçka që kishte nga marka Goop. “Isha shumë fanse e kompanisë së saj, që dukej se kishte për qëllim fuqizimin e grave,” thotë ajo. “Pastaj ajo e bëri këtë. Hipokrizi.”

Trauma dhe akuza

E gjithë jeta e Cabot u përmblodh në një klip 16-sekondësh, një video që ajo nuk ka mundur kurrë ta shikojë.

“U bëra meme, drejtoresha e HR-së më e përbuzur në histori,” thotë ajo.

“Si grua, mora pjesën më të madhe të abuzimit. Më quanin ‘gjuetare floriri’ ose thoshin se ‘kisha fjetur për të arritur lart’. Kjo ishte krejt larg realitetit.”

Pas viralitetit, ajo u izolua për disa ditë në një Airbnb në malet e New Hampshire-it, duke u ndjerë shumë keq për të qenë prind.

Byron dha dorëheqjen po atë javë. Hetimi i Astronomer-it nuk gjeti prova për aferë, por bordi tha se standardet e lidershipit nuk ishin përmbushur. Cabot u largua pak më vonë.

Ajo u divorcua zyrtarisht në gusht. Ndërkohë, për muaj të tërë, mori mijëra mesazhe urrejtjeje dhe kërcënime me vdekje.

“Për shumë njerëz kjo mund të duket histori e vdekur,” thotë Cabot. “Por për mua dhe fëmijët e mi nuk ka mbaruar. Ngacmimi nuk përfundoi kurrë.”

Sot e kësaj dite, njerëz flasin pas shpine, e shajnë në rrugë, dhe fëmijët e saj kanë turp të shfaqen me të. “Janë të zemëruar me mua,” thotë ajo me lot. “Dhe kanë të drejtë.”

Mes pasojave, Cabot punësoi një konsulente komunikimi për të ngritur ndërgjegjësim mbi pasojat reale të turmave digjitale që shkatërrojnë jetë.

“Një nga arsyet kryesore pse dua ta bëj këtë bisedë,” thotë ajo, “nuk është për famë të përkohshme. Çdo ditë dëgjoj për të rinj që kanë kryer vetëvrasje për shkak të trajtimit mizor në komente.

“Duhet të jemi më të mirë me njëri-tjetrin, jo të shkatërrojmë vazhdimisht.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB