Akuza e SPAK për “korrupsion politik”, Berisha: Po hetohem pse Argita ka përfituar një apartament 77 m2 nga privatizimi, si 1 milionë shqiptarë të tjerë

05/01/2026 12:18

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur sot se SPAK e ka akuzuar edhe për korrupsion politik kur i ka dhënë të bijës, Argitës, 1/3 e një apartamenti të privatizuar, meqenëse ajo ka qenë në atë kohë mbi 18 vjecc.

Duke folur në një prononcim për mediat pas paraqitjes në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”, Berisha tha se vajza e ka marrë pjesën e apartamentit sipas ligjit të privatizimeve.

“Sa për t’ju informuar se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president i republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen Partizani, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme”, tha Berisha.

Sipas tij “Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën Myzeqari, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit. Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali”.

Berisha tha se “Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike. Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike”.

“Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme. Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave. Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me ligjin 7652”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB