Si po prodhon Inteligjenca Artificiale biografi të rreme në masë Shtetet e Bashkuara kanë tronditur skenën ndërkombëtare pas një operacioni ushtarak gjatë natës në Karakas, ku forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij.
Lajmi u bë publik nga vetë Donald Trump, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në resortin e tij Mar-a-Lago.
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA do të marrë përkohësisht drejtimin e Venezuelës, deri në një “tranzicion të sigurt dhe të mençur”, duke shënuar një kthesë të fortë në politikën e jashtme të administratës së tij.
“Ne do ta drejtojmë vendin derisa të krijohen kushtet për një tranzicion të duhur”, tha Trump, pa sqaruar se çfarë nënkupton konkretisht kjo ndërhyrje.
Sipas tij, një ekip i përbërë nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, në bashkëpunim me aktorë vendas, do të marrë kontrollin e institucioneve kryesore të vendit.
Nga “Amerika e Para” te ndërtimi i një shteti tjetër
Vendimi përbën një kontradiktë të fortë me premtimet elektorale të Trump, i cili kishte kritikuar ashpër luftërat e pafundme dhe ndërhyrjet për ndryshim regjimi. Tani, ai po lidh trashëgiminë e presidencës së tij me rindërtimin e një vendi të Amerikës Latine, të shkatërruar nga kriza ekonomike dhe dekada autoritarizmi.
Trump u shpreh optimist, duke thënë se kompanitë amerikane të energjisë do të përfshihen në rindërtimin e infrastrukturës së Venezuelës, ndërsa nuk përjashtoi as vendosjen e trupave amerikane në terren.
“Kishim ushtarë në terren mbrëmë. Nuk kemi frikë”, deklaroi ai.
Reagime të forta brenda dhe jashtë SHBA-së
Veprimi ka shkaktuar përçarje të forta në politikën amerikane. Disa republikanë e mbështetën operacionin, duke e cilësuar Maduron si udhëheqës të një “regjimi kriminal”. Por figura të tjera të kampit konservator dhe demokratët e dënuan ashpër ndërhyrjen.
Kongresmenja Marjorie Taylor Greene e quajti veprimin një tradhti ndaj bazës “MAGA”, ndërsa demokratët paralajmëruan për rrezikun e një lufte të re të pafundme dhe shkelje të normave kushtetuese.
Në arenën ndërkombëtare, Kina reagoi menjëherë, duke dënuar atë që e quajti një sulm të pamatur ndaj një shteti sovran. Kritikë u shprehën edhe për precedentët që mund të krijohen për konflikte të tjera globale, përfshirë Ukrainën dhe Tajvanin.
“Ta bëjmë Venezuelën përsëri të madhe”
Trump e justifikoi ndërhyrjen si pjesë të politikës “Amerika e Para”, duke përmendur sigurinë rajonale dhe aksesin në naftë. Ai risolli në vëmendje Doktrinën Monroe, të cilën e quajti “Doktrina Donroe”, duke theksuar se dominimi amerikan në Hemisferën Perëndimore “nuk do të vihet më në dyshim”.
Operacioni ushtarak, sipas Shtëpisë së Bardhë, u zhvillua pa humbje amerikane dhe me dëme minimale. Trump e cilësoi atë si “një nga operacionet më spektakolare në historinë ushtarake amerikane”.
Tani, SHBA përballet me sfidën më të madhe: drejtimin dhe stabilizimin e Venezuelës. Një hap që mund të përcaktojë jo vetëm trashëgiminë e Donald Trump, por edhe rolin e Amerikës në botë në vitet që vijnë.
Top Channel