Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm kanë sjellë problematika të izoluara në disa bashki të veriut.
Situata më problematike raportohet në Bashkinë Shkodër, ku si pasojë e reshjeve është shembur një pjesë e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.
Autoritetet kanë vendosur sinjalistikë dhe kanë bllokuar qarkullimin në këtë aks për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmit dhe normalizimin e lëvizjes. Ndërkohë, borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth.
*Në Bashkinë Malësi e Madhe reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë–Vermosh, ku ka prani ngricash dhe po kryhet kriposja për të garantuar qarkullimin.
*Në Bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut janë ndërprerë, por në disa njësi administrative janë shënuar shkëputje të energjisë elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve.
*Në Bashkinë Fushë-Arrëz vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Raportohet për rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
*Edhe në Bashkinë Pukë reshjet e shiut vijojnë, të shoqëruara me erë të fortë, por deri tani nuk raportohen problematika.
Nga DRUK Lezhë bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu, pa krijuar probleme në kanalet kulluese, argjinatura apo digën e Rezervuarit të Shkodrës. Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të rezervuarit janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje, ndërsa hidrovoret e Velipojës ndodhen në funksion të plotë dhe në gatishmëri.
Top Channel