Tragjedia në natën e Krishtlindjes/ Babai i dy fëmijëve u gjet i vrarë me thikë, shpallen në kërkim dy vëllezërit 19 dhe 20 vjeç

31/12/2025 07:50

Dy vëllezër 19 dhe 20 vjeç janë shpallur në kërkim nga policia britanike pasi dyshohen për vrasjen e një 30-vjecari, baba I dy fëmijëve, natën e Krishtlindjes.

Tiego Beckles, 20 vjeç, dhe vëllai i tij Richard Beckles, 19 vjeç, janë identifikuar si të dyshuar kryesorë për vrasjen e Trey Johnson, 30 vjeç, rreth orës 3:30 të mëngjesit të së enjtes, më 25 dhjetor.

Johnson, baba i dy fëmijëve, u gjet me plagë të rënda të shkaktuara nga thika dhe u shpall i vdekur në vendngjarje. Familja e tij e ka përshkruar atë si një “vëlla dhe baba të dashur, partner të përkushtuar dhe një njeri me shpirt të kujdesshëm”.

“Në çdo situatë ai do të bënte gjithçka për këdo. Buzëqeshja, dashuria dhe energjia e tij ishin ngjitëse dhe ndriçonin çdo dhomë ku hynte”, thuhet në një homazh familjar.

“Ai ishte një baba i përkushtuar, një bir i mirë dhe një njeri që jetonte për familjen e tij”, shtuan ata.

Policia e West Midlands ka bërë publike identitetet e dy vëllezërve dhe ka përsëritur thirrjen për dëshmitarë. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin dëshmi për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Dy burra të moshës 35 dhe 58 vjeç u arrestuan fillimisht në kuadër të hetimeve, por më pas u liruan pa akuza. Një grua u ndalua nën dyshimin për ndihmë ndaj një personi të kërkuar, por është liruar me kusht.

“Tiego dhe Richard Beckles e dinë se janë të kërkuar. I nxisim të bëjnë gjënë e duhur dhe të dorëzohen para se t’i gjejmë ne”, janë shprehur autoritetet.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se kushdo që po i ndihmon për t’iu shmangur arrestimit do të përballet me pasoja ligjore.
“Nëse keni informacion për vendndodhjen e tyre, sado i vogël të duket, ju lutemi na kontaktoni. Çdo informacion do të trajtohet me konfidencialitet të plotë”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB