Partia Socialiste e Tiranës ka organizuar një ceremoni festive në Pallatin e Brigadave, në prag të ndërrimit të viteve, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri publikoi pamje nga aktiviteti, por ajo që u vu re ishin disa mungesa e disa senatorëve socialistë, të cilët prej vitesh janë pjesë e PS-së.
Në Pallatin e Brigadave nuk ishin të pranishëm emra si Pandeli Majko, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Arben Pëllumbi, Ermonela Felaj, Etjen Xhafaj, Mimi Kodheli dhe Plarent Ndreca.
Po ashtu, u vu re edhe mungesa e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK.
Në aktivitet morën pjesë pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, bashkëdrejtuesit e qarkut Tiranë, Blendi Gonxhe dhe Ogerta Manastirliu, si dhe përfaqësues të tjerë të strukturave drejtuese dhe të rinjve socialistë të kryeqytetit.
Gjatë fjalës së saj, Ogerta Manastirliu uroi një vit të ri sa më të mbarë dhe të shëndetshëm, duke theksuar rëndësinë e shpresës dhe energjisë pozitive për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Në postimin e tij Rama shkroi se është mirënjohës për punën e çdo anëtari dhe aktivisti të familjes së madhe të Partisë Socialiste.
“Me mirënjohje për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste dhe me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël të secilës dhe secilit prej jush”, shkruan Rama krahas videos.
Top Channel