Me fishekzjarrë e kapsolla, Policia bën kontrolle nëpër tregje për të ndaluar shitjen e materialeve shpërthyese

30/12/2025 15:17

Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga ndërrimi i viteve, në çdo familje po kryhen përgatitjet për të krijuar një ambient sa më festiv, ku pjesë e kësaj atmosfere janë edhe fishekzjarrët.

Por jo gjithmonë qytetarët zgjedhin produkte brenda rregullave dhe kritereve. Prandaj Policia e Tiranës po kryen kontrolle në tregje dhe mjete lëvizëse, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit ose transportimit të këtyre lëndëve të rrezikshme.

Në pranga ra një 22-vjeçar i identifikuar si Sergi Muça, i cili u kap duke transportuar me automjet, në bulevardin “Bajram Curri”, pako me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat dyshohet se ishin të kontrabanduara.

Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me rastin, 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, ndërsa fishekzjarrët u sekuestruan. Policia vijon kontrollet edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ndërkohë që u bëhet apel qytetarëve të kenë kujdes në përdorimin e tyre, për shkak të fuqisë shpërthyese, por edhe të toksinave.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB