Përse ka ndryshuar qëndrim për SPAK pas akuzës për Ballukun? Rama: Nuk jemi zyrë noterie. 16 mijë faqe prova? Prokurorëve do u thosha ‘çohuni, ikni dhe…”

30/12/2025 11:58

Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, kur u pyet në lidhje me hetimet për zb.kryeministren Belinda Balluku.

Sa i takon mbledhjes së këshillit të mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit, Rama tha se nëse ai do të ishte aty do t’u kërkonte prokurorëve të largohen dhe të kthehen me një dosje që i takon Kuvendit, dhe jo siç tha ai 16 faqe dosje.

Muhamed Veliu: Gjatë këtyre viteve keni vendosur një standard kur keni thënë se PS nuk kthehet zyrë avokatore e atyre që kanë probleme me drejtësinë, çfarë u bëri të ndryshoni qëndrim kur vjen fjala për Belinda Ballukun? A keni një bindje që janë të mjaftueshme këto provat e SPAK në dosjen me 16 mijë faqe për të realizuar kërkesën që u ka vënë SPAK në tavolinë për heqjen e imunitetit?

Edi Rama: Keni  dëgjuar ndonjë fjalë të vetme për rastin konkret nga ana jonë? Kur rasti vjen në derën tonë, të pushtetit legjislativ, atëherë duhet të shprehet. Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie por kuazi gjykatë dhe parlamenti nuk noterizon kërkesat që i merr dhe i sheh.

Nuk do doja ta kishe përmendur atë dosjen me 16 mijë faqe, se më provokon… Po të isha unë në Këshill do t’u thoja çohuni dhe ejani me një dosje për Kuvendin. Nuk vini dot me 16 mijë faqe. E dini ca janë? Arkivi i ministrisë futur brenda. Nuk janë produkt i hetimit se s’ka si të jenë produkt i hetimit. Janë 16 mijë faqe, afërmendsh është kjo s’ka nevojë ta shohësh. USB nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe as ministrja.

Që kur mesazhet janë prova? Që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqi si në kohën e gjuetisë së shtrigave? Parafytyroni çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm?

Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu mbrapsht jetën? Ndaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij dhe nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu dhe unë nuk fajësoj mediat për këtë por ata që i ushqejnë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB