Trump tha se po përgatitet një falje presidenciale për Netanyahun, zyra e presidentit izraelit e mohon menjëherë: Nuk kemi patur bisedime të tilla

29/12/2025 22:26

Menjëherë pasi Donald Trump pretendoi se Presidenti izraelit Isaac Herzog i kishte thënë së fundmi se një falje për Benjamin Netanyahun ishte “në përgatitje”, zyra e Herzog nxitoi të mohonte pretendimin e presidentit amerikan.

“Nuk ka pasur biseda midis Presidentit Herzog dhe Presidentit Trump që kur u paraqit kërkesa për falje”, tha zyra e presidentit.

“Disa javë më parë, Presidenti Herzog pati një bisedë me një përfaqësues në emër të Trump, i cili e kontaktoi atë me një pyetje në lidhje me letrën nga presidenti amerikan”, tha zyra e Herzogut në një deklaratë.

Referenca ishte për një letër që Trump i dërgoi në nëntor presidentit izraelit, duke e nxitur atë të jepte një falje për Netanyahun.

Netanyahu i dërgoi kërkesën e tij zyrtare Herzogut disa ditë më vonë në nëntor. Presidenti Herzog është ende duke e shqyrtuar çështjen.

Në bisedën telefonike midis Herzog dhe ndihmësit të Trump, siç raportohet nga Times of Israel, këtij të fundit “iu dhanë shpjegime në lidhje me fazën në të cilën ndodhet kërkesa dhe se një vendim për këtë çështje do të merret në përputhje me procedurat.

“Kjo iu shpjegua zëdhënësit të Trump, ashtu siç Presidenti Herzog ia përcolli publikut në Izrael”, raporton zyra presidenciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB