Plepat “vrasës” në Yzberisht: 7 vite frikë, zero inspektime, zgjidhje vetëm me Fiks Fare

29/12/2025 20:51

Prej vitesh jeton me frikën se një ditë mund të ndodhë më e keqja. Agim Duraku nga Yzberishti ka denoncuar në emisionin “Fiks Fare” rrezikun që i kanoset atij, familjes së tij dhe kalimtarëve nga disa plepa të mëdhenj, të mbjellë pranë banesës së tij.

Sipas denoncuesit, frika e tij nuk është aspak e pabazë. Në vitin 2019, një nga plepat në të njëjtin bllok u rrëzua nga era e fortë dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, duke shkatërruar rrethimin e shtëpisë dhe duke rënë pranë hyrjes së garazhit. Fatmirësisht, në atë moment nuk kishte njerëz jashtë.

“Po të ishin fëmijët jashtë, do i kishte zënë poshtë si mi,” – shprehet Duraku, duke shtuar se fëmijët luajnë çdo ditë në atë zonë.

Ai tregon se prej vitesh ka kërkuar ndërhyrje nga Njësia Administrative Kashar dhe më pas nga Njësia 14, por përveç një prerjeje të pjesshme para dy vitesh, askush nuk është kthyer më për të inspektuar situatën. Plepat janë rritur sërish dhe rreziku është shtuar.

Edhe pas kontakteve të vazhdueshme me administratorët lokalë dhe me drejtues politikë të zonës, zgjidhja ka munguar. Institucionet justifikohen me faktin se pemët ndodhen në pronë private dhe Bashkia nuk mund të ndërhyjë pa një procedurë të posaçme.

Gjatë verifikimit në terren nga “Fiks Fare”, administratori i Njësisë Administrative nr.14 pranon se është në dijeni të rastit, por thekson se ndërhyrja është e kufizuar për shkak të statusit privat të pronës. Megjithatë, pas insistimit dhe verifikimit të situatës, premtohet dërgimi i një shkresë zyrtare drejt Drejtorisë së Emergjencave Civile për vlerësim rreziku.

Për të sqaruar rrezikshmërinë, “Fiks Fare” konsultoi edhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Pyjore, Ervin Toromani, i cili shpjegon se plepat janë pemë me strukturë druri të lehtë dhe paraqesin rrezik të shtuar gjatë erërave të forta. Sipas tij, distanca minimale nga banesat duhet të jetë të paktën 5 metra dhe plepat mbi moshën 40 vjeç duhet të priten, sidomos kur shfaqin shenja tharjeje, kalbëzimi apo plasaritje.

Edhe Drejtoria e Pastrimit dhe Gjelbërimit konstaton në terren se një prej plepave ka nevojë urgjente për krasitje, por sërish ndërhyrja bllokohet për shkak të pronës private.

Paradoksalisht, pronari i pemëve shprehet dakord për prerjen e tyre, duke theksuar se shqetësimi kryesor është siguria e njerëzve dhe jo pemët.

Vetëm pas ndërhyrjes së “Fiks Fare” dhe kontaktit me Emergjencat Civile, u bë e mundur prerja e plepit, duke i dhënë fund një rreziku që zgjati mbi 7 vite.

 

 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB