Spanja në kaos nga përmbytjet/ Reshjet e dendura të shiut izolojnë qytetarët në shtëpi, alarm i kuq për përkeqësimin e situatës

28/12/2025 17:00

Një paralajmërim i kuq për “rrezik ekstrem” është lëshuar për disa zona të njohura turistike në Spanjë, ndërsa një stuhi e fuqishme ka goditur rajonin e Costa del Sol, duke shkaktuar përmbytje të rënda dhe kaos.

Shirat intensive kanë përfshirë veçanërisht provincën e Malagës, ku autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në 27 komuna, ndërsa situata pritet të përkeqësohet në orët në vijim.

Sipas mediave ndërkombëtare, zonat e Sol dhe Guadalhorce janë ndër më të goditurat, me rrugë të shndërruara në lumenj balte dhe ujëra të mbushura me mbeturina që kanë rrëmbyer makina dhe pemë. Pamjet nga terreni tregojnë automjete që lundrojnë mes rrymave të forta, ndërsa vendas dhe turistë kanë mbetur të bllokuar në banesat apo automjetet e tyre. Autoritetet kanë bërë të ditur se në disa zona niveli i ujit ka arritur disa metra lartësi dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë.

Përveç alarmit të kuq në Malaga, janë lëshuar paralajmërime portokalli për reshje të dendura shiu në rajonet e Ronda, Antequera dhe Axarquía, si dhe përgjatë bregdetit të Granadës dhe disa zonave të Almerías. Paralajmërime të verdha mbeten në fuqi në Cádiz, Huelva dhe zona të tjera bregdetare, ku është aktivizuar edhe alarmi detar.

Autoritetet u kanë këshilluar banorëve dhe turistëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të kërkojnë zona më të larta në rast rreziku nga përmbytjet. Kjo situatë vjen vetëm disa javë pas stuhisë Alice, e cila shkaktoi dëme të mëdha në Spanjë.

Ndërkohë, kushte ekstreme moti po regjistrohen edhe në pjesë të tjera të Evropës. Në Itali, vullkani Etna, më aktiv në kontinent, ka hyrë në një fazë të re shpërthyese që prej Ditës së Krishtlindjeve, sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB