Qeveria Shqiptare ka bërë amnistinë e fundvitit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale të Kryeministrit Edi Rama, shfaqet ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ku prezanton amnistinë nga e cila 300 të burgosur përfitojnë lirinë, ndërsa 900 të tjerë ulje dënimi.
“Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, komunikon nismën e Qeverisë Shqiptare për amnistinë e ndërmarrë si një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane.
Pjesë e një politike penale moderne, që synon rehabilitimin, uljen e mbipopullimit në burgje dhe forcimin e sigurisë afatgjatë, amnistia hap rrugën që 380 persona të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi, duke ulur në këtë mënyrë edhe popullimin në burgje me gati 7%.
Të vendosur deri në fund për një drejtësi të drejtë, që mishëron sundimin e ligjit dhe humanizmin e respektin për dinjitetin njerëzor, sipas standardeve demokratike europiane”, shkruhet në postimin e Ramës.
“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, thotë Ministri i Drejtësisë. Sipas tij në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore
Më tej Lamallari thekson edhe ata që nuk përfitojnë nga amnistia.
“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, shprehet Lamallari duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.
“Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike europiane”, thotë ministri Lamallari.
Top Channel