Brigitte Bardot, e cila ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, përmbysi portretizimin e ngurtë të grave në kinemanë e viteve 1950, duke u bërë simbol i një epoke të re të çlirimit seksual.
Në ekran, ajo ishte një përzierje franceze e hijeshisë lozonjare dhe sensualitetit kontinental. Një botim e quajti “princesha e buzëqeshjes provokuese dhe kontesha e joshjes”, por ky ishte një imazh që ajo, me kalimin e kohës, filloi ta urrente.
E promovuar pa mëshirë si simbol hedonist i seksit, Bardot u ndje e penguar në ambicien e saj për t’u marrë seriozisht si aktore. Më në fund, ajo e braktisi karrierën për t’iu përkushtuar mbrojtjes së kafshëve.
Vite më pas, reputacioni i saj u dëmtua nga deklarata homofobike dhe nga dënime të përsëritura për nxitje të urrejtjes racore. Edhe i biri e paditi për dëme emocionale, pasi ajo kishte thënë se do të kishte preferuar “të sillte në jetë një qenush”.
Kjo mbeti një njollë në kujtesën e një ikone, e cila — në kulmin e saj — e vendosi bikinin, dëshirën femërore dhe kinemanë franceze në hartën botërore.
Brigitte Anne-Marie Bardot lindi në Paris më 28 shtator 1934.
Ajo dhe motra e saj, Marie-Jeanne, u rritën në një apartament luksoz në lagjen më elitare të qytetit. Prindërit e saj katolikë ishin të pasur dhe kërkonin standarde të larta nga fëmijët. Miqësitë e vajzave kontrolloheshin rreptësisht dhe disiplinimi ishte i ashpër.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me trupat gjermane që pushtonin Parisin, Bardot kalonte shumicën e kohës në shtëpi duke kërcyer me disqe muzike. Nëna e saj e mbështeti këtë prirje dhe e regjistroi në kurse baleti që në moshën shtatëvjeçare.
Mësuesit në Konservatorin e Parisit e përshkruanin si nxënëse të shkëlqyer dhe ajo fitoi disa çmime.
Jeta si “jeune fille”
Megjithatë, Bardot e ndiente jetën si mbytëse. Në moshën 15-vjeçare, siç do të kujtonte më vonë, “po kërkoja diçka, ndoshta përmbushjen e vetes”.
Një mik i familjes e bindi të pozonte për kopertinën e revistës Elle, dhe fotografitë shkaktuan sensacion.
Në atë kohë, gratë në modë kishin flokë të shkurtër dhe veshje të kuruara me kujdes. Flokët e Brigitte-s binin lirshëm mbi shpatulla dhe trupi i saj atletik, si i balerinës, e dallonte nga modelet e tjera. Ajo u bë mishërimi i stilit të ri “jeune fille” (vajzë e re). Në moshën 16-vjeçare, ajo ishte tashmë fytyra më e famshme e kopertinave në Paris.
Fotografitë e saj ranë në sy të regjisorit Marc Allégret, i cili i kërkoi asistentit të tij, Roger Vadim, ta gjente. Provimet për film nuk patën sukses, por Vadim — gjashtë vjet më i madh — u bë fillimisht mentori dhe më pas i fejuari i saj.
Lidhja e tyre ishte intensive dhe konfliktuale me familjen, por më në fund prindërit pranuan martesën kur Brigitte mbushi 18 vjeç.
Lista e dashnorëve dhe bashkëshortëve duket e pafund: pas Vadim-it dhe Trintignant-it vijnë Gilbert Bécaud, Raf Vallone dhe Sacha Distel. Në vitin 1959 martohet me Jacques Charrier, i cili i jep djalin e saj të vetëm, Nicolas (më shumë i pranuar sesa vërtet i dashur), por divorcohen në 1963. Më pas lidhet me Samy Frey-n, këngëtarin Olivier Despax, producentin Bob Zaguri, deri sa takon Gunter Sachs-in, i cili bëhet bashkëshorti i saj i tretë (por vetëm për tre vjet, nga 1966 deri më 1969), pa hequr dorë nga histori të tjera: me Serge Gainsbourg, playboy-n italian Gigi Rizzi, të riun Patrick Gilles, Warren Beatty, Nino Ferrer, pilotin François Cevert, banakierin Christian Kalt de Méribel, Laurent Vergez, skulptorin Miroslav Brozek, gazetarin Alain Bougrain-Dubourg dhe, në fund, avokatin (dhe përfaqësuesin e Front National të Le Pen-it) Bernard d’Ormale, me të cilin u martua në 1992 dhe me të cilin ndau pjesën e mbetur të jetës së saj.
Fund i trazuar
Në vitet e vona, Bardot u përball shpesh me gjykatat për deklarata që nxitnin urrejtje racore dhe për qëndrime të ashpra politike. Këto polemika e çuan drejt një jete gjithnjë e më të tërhequr nga publiku.
Në vitet 1960, ajo ishte zgjedhur si fytyra zyrtare e Marianne, simbolit të lirisë franceze. Me kalimin e kohës, u shndërrua vetë në ikonë: një grua e bukur, moderne dhe e çliruar, që sfidoi stereotipet e vjetra.
Ajo la pas bashkëshortin e saj të katërt, Bernard d’Ormale, dhe një trashëgimi po aq të ndritshme sa edhe kontradiktore në historinë e kulturës franceze.
Top Channel