Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar paraditen e sotme në zgjedhjet e parakohshme që po mbahen në Kosovë, teksa ka deklaruar se në përfundim të tyre vendi duhet të ketë sa më shpejt një qeveri të re.
Osmani u shpreh se shpreson për një proces zgjedhor të qetë dhe të rregullt, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve.
“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta e demokratike. Uroj që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj që në rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë të Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme dhe të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tone”, tha Osmani.
“Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe që angazhohen edhe gjatë ditës së sotme që ky proces zgjedhor të jetë sa i më rregullt nga KQZ-ja tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë”, u shpreh presidentja.
Top Channel