Darka e Krishtlindjes kthehet në tragjedi, nëna dhe vajza 15-vjeçare ndërrojnë jetë pasi u helmuan nga…

28/12/2025 16:25

Një vajzë 15-vjeçare dhe nëna e saj kanë humbur jetën në Itali brenda pak orësh nga njëra-tjetra.

Dyshimet e para lidhen me një helmim të mundshëm nga ushqimi, i cili dyshohet se është shkaktuar nga një darkë me peshk e konsumuar gjatë festave të Krishtlindjeve. Nga ana tjetër edhe babai i vajzës, 55 vjeç, ndodhet ende i shtruar në Spital.

Vajza, Sara Di Vita, ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje, ndërsa nëna, dhe nëna e e saj, Antonella Di Ielsi, vdiq disa orë më vonë, në mëngjesin e së dielës.

Prokuroria e Campobasso-s ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të sqaruar shkaqet e vdekjes.

Sara Di Vita jetonte në Pietracatella, në provincën e Campobasso-s, dhe ndiqte shkollën e mesme klasike në kryeqytetin e Molise-s. Prej disa ditësh ajo dhe anëtarë të tjerë të familjes ndiheshin keq dhe ishin paraqitur në urgjencën e spitalit. Fillimisht u dyshua për helmim nga ushqimi, por situata nuk u vlerësua si e rëndë dhe familja u dërgua në shtëpi.

Të shtunën pasdite, gjendja shëndetësore e vajzës u përkeqësua ndjeshëm. Ajo u shtrua në kujdes intensiv, ku ndërroi jetë rreth orës 22:30. Nëna u shtrua gjithashtu në spital, por vdiq të dielën në mëngjes. Babai shfaqi simptoma të ngjashme dhe mbetet nën kujdes mjekësor. E vetmja anëtare e familjes që nuk u sëmur ishte motra 20-vjeçare.

Sipas mediave vendase, e gjithë familja u ndje keq pas darkës së Krishtlindjeve, gjatë së cilës u konsumua peshk, ushqime deti dhe midhje. Në darkë morën pjesë edhe persona të tjerë, të cilët nuk shfaqën simptoma. Pas disa orësh, babai, nëna dhe vajza filluan të ndiheshin keq dhe iu drejtuan urgjencës dy herë, por u kthyen në shtëpi. Vetëm në mbrëmjen e së shtunës, për shkak të dhimbjeve dhe ngërçeve të forta, familja u rikthye në spital.

Vetëm autopsia pritet të përcaktojë nëse vdekjet janë shkaktuar nga helmimi ushqimor apo nga ndonjë intolerancë e rëndë ndaj ushqimit.

“Jemi të tronditur, është një tragjedi që na lë pa fjalë. Qyteti është në mosbesim. Shpreh ngushëllimet e mia dhe të gjithë komunitetit për familjen”, deklaroi kryebashkiaku i Pietracatella-s, Antonio Tommasone.

Antonella Di Ielsi punonte së bashku me bashkëshortin e saj, kontabilist, Gianni Di Vita, i cili në të kaluarën ka mbajtur edhe poste politike lokale, përfshirë atë të kryetarit të bashkisë së Pietracatella-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB