Kush mund ta zëvendësojë Keir Starmer si udhëheqës të Partisë Laburiste? Ja kush vlerësohen si rivalët e tij

27/12/2025 07:31

Edhe pse kanë kaluar më pak se dy vjet nga fitorja dërrmuese e Partisë Laburiste nën drejtimin e Sir Keir Starmer, pozitat e tij janë dobësuar ndjeshëm.

Rënia e popullaritetit dhe pritshmëritë për rezultate të dobëta në zgjedhjet lokale të majit kanë inkurajuar rivalët brenda partisë të pozicionohen për një sfidë të mundshme.

Wes Streeting – Sekretar i Shëndetësisë (Vlerësim: 3/5)

Streeting është sfiduesi më i hapur deri tani. Ai ka kritikuar publikisht Starmerin dhe drejtimin e qeverisë, duke u pozicionuar si centrist progresiv dhe komunikues i fortë. Megjithatë, ai mbetet relativisht pak popullor te votuesit dhe rrezikon të humbasë edhe vendin e tij në parlament për shkak të shumicës së vogël.

Angela Rayner – Ish-zëvendëskryeministre (Vlerësim: 3/5)

Rayner është shumë e pëlqyer brenda partisë dhe sindikatave, me një histori personale që prek publikun. Por reputacioni i saj është dëmtuar nga afera e taksave, ndërsa tek publiku i gjerë është dukshëm më pak popullore.

Andy Burnham – Kryetar bashkie i Mançesterit të Madh (Vlerësim: 2/5)

Ai shihet si kandidati më popullor mes votuesve laburistë, por nuk është deputet dhe do të duhet të rikthehet në parlament për të kandiduar — një proces politikisht i vështirë.

Shabana Mahmood – Sekretare e Brendshme (Vlerësim: 1/5)

Një figurë në rritje me qëndrime të forta ndaj emigracionit të paligjshëm. Megjithatë, popullariteti i saj publik është i ulët dhe brenda partisë ka rezerva për politikën e saj të ashpër.

Ed Miliband – Sekretar i Energjisë dhe ish-lider (Vlerësim: 2/5)

I dashur nga baza laburiste, por shumë deputetë dyshojnë në aftësinë e tij për të fituar zgjedhje pasi ai ka dështuar një herë si lider.

Sa i rrezikuar është vetë Keir Starmer?

Starmer përballet me nivele rekord të mosmiratimi, për shkak të kthesave politike dhe stanjacionit ekonomik. Megjithatë, ai ruan ende kontrollin për shkak të mungesës së një rivali të qartë dhe vendosmërisë për të mos u dorëzuar.

Partia Laburiste po hyn në një fazë tensioni të brendshëm. Edhe pse shumë figura po e shohin veten si pasardhës të mundshëm të Starmerit, asnjë prej tyre nuk ka ende mbështetjen e duhur për ta rrëzuar atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB